Policia e Kosovës njoftoi se më 19 dhjetor, në orën 02:20, në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht në udhëkryqin te Shkolla Teknike ka pasur shpërthim me shok bombë. Si pasojë e këtij shpërthimi, janë thyer xhamat e katër bizneseve - dy prej të cilave nuk janë aktive.
"Sipas informacioneve fillestare dyshohet se shpërthimi [me shok bombë në Mitrovicë të Veriut] mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës", u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia tha se kundërshton “fushatat propaganduese të ditëve të fundit nga qarqet politike e mediat, kryesisht serbe” lidhur me ngjarjet në veri.
Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Teksa Policia e Kosovës rriti prezencën në këtë pjesë të vendit, disa serbë lokalë më 10 dhjetor nisën ngritjen e barrikadave.
Ngritja e barrikadave u nxit pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Deri më tani, autoritetet kanë konfirmuar se janë ngritur dy barrikada në veri, të cilat, sipas Policisë së Kosovës, po pengojnë lirinë e lëvizjes.
Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë mbyllur për qarkullim pikëkalimet Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.