Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar kërkesë nga Serbia lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë, u tha në përgjigjen e KFOR-it dërguar Radios Evropa e Lirë.
“KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, shtoi ky mision.
Më 15 dhjetor, autoritetet në Serbi bënë të ditur se kanë vendosur që t’i drejtohen KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se është e qartë se kërkesa do të refuzohet.
Serbia këtë kërkesë e ka bërë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka konfirmuar se KFOR-it i është dorëzuar kërkesa për dërgimin e deri në 1.000 trupave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
“Para pak kohësh e njoftova presidentin e Republikës dhe kyeministren se Forcat e Armatosura të Serbisë, gjegjësisht Komisioni për Zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, ka dorëzuar këtë në mëngjes, para orës 11:00, në vijën administrative afër Merdarit, në formë të shkruar, vendimin e Qeverisë”, së Serbisë, u tha në njoftimin e lëshuar nga Vuçeviq, ku u shtua se janë dërguar të gjitha dokumentacionet e nevojshme.
Kërkesa e Serbisë vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
- Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.
Më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb, disa serbë lokalë ngritën barrikada, duke bllokuar rrugët kryesore që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka thënë se Uashingtoni “në mënyrë kategorike” është kundër dërgimit të trupave serbe në Kosovë.
Ndërkaq, ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, tha se është i bindur se Serbisë nuk do t’i aprovohet kërkesa për kthimin e ushtarëve dhe policëve në Kosovë, megjithatë shprehet i kënaqur që të paktën Serbia ka vendosur të bëjë kërkesë dhe jo të veprojë në mënyrë unilaterale.
“Është më mirë që Serbia, publikisht dhe në mënyrë transparente, i ka kërkuar KFOR-it t’i kthejë trupat në Kosovë e jo ta bëjë këtë në mënyrë unilaterale, apo sekrete, pasi kjo do të ishte ekstremisht provokuese në rrethanat aktuale”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se paralajmërimet për dislokimin e trupave serbe në Kosovë janë “kërcënim me agresion” nga Serbia. Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk do të ketë më ushtarë dhe policë serbë në territorin e Kosovës.