Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
“Në linjë me mandatin e tij, EULEX po monitoron rastin e D.P”, u tha në përgjigje.
Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.
Autoritetet në Kosovë dyshojnë se ai ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor, shqiptoi një muaj paraburgim.
Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur se ku po mbahet Pantiqi.
As EULEX-i nuk ka bërë të ditur se ku po mbahet ai ose si do të veprojnë lidhur me kërkesën për transferimin e tij.
EULEX tha po ashtu tha se përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, ky mision është në kontakt edhe me avokatin e Pantiqit, “i cili ka kërkuar nga misioni që ta monitorojë rastin”.
“Në linjë me mandatin tonë, misioni po monitoron këtë rast për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës. Ne përsërisim se është shumë e rëndësishme që të drejtat e D.P. të respektohen plotësisht në bazë të ligjit”, u tha në përgjigje.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka dhënë ndonjë informacion REL-it se në cilin vend apo qendër paraburgimi gjendet ai. Këtë informacion nuk e kanë as familjarët, avokati i tij dhe as Avokati i Popullit të Kosovës.
Avokati i Pantiqit, Nebojsha Vllajiq, pretendon se klientit të tij po i shkelen të gjitha të drejtat e njeriut.
“Ai ka të drejtë të vizitohet nga një avokat, ta vizitojë familja e tij, të marrë trajtim [mjekësor] dhe gjithçka tjetër. E gjithë kjo është mohuar për faktin se nuk dihet ku është. E vërteta e vendndodhjes së tij duhet të publikohet”, ka thënë Vllajiq për Radion Evropa e Lirë.
Edhe zyrtarët serbë kanë akuzuar autoritetet në Kosovë për trajtim jo të duhur të Pantiqit. Policia e Kosovës ditë më parë hodhi poshtë pretendimet se Pantiqit nuk po i ofrohen barnat e nevojshme.
Arrestimi i Dejan Pantiqit ka nxitur disa serbë lokalë që të ngrenë barrikada më 10 dhjetor në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak. Deri tani nuk ka pasur konfirmim se Pantiq është transferuar në ndonjë qendër paraburgimi dhe nëse e kanë penguar barrikadat në veri transportimin e tij.
- Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.