Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura.
Nga e shtuna pasdite, disa serbë lokalë ngritën barrikada në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në veri të Kosovës dhe bllokuan disa rrugë.
Ata ndërmorën këtë veprim pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët për media, ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd thanë se “ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, si dhe për kërcënime dhe frikësime të autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët që të punojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për t’i zgjidhur çështjet përkatëse”, thuhet në deklaratën e lëshuar të dielën pasdite.
Aty, po ashtu, shprehet mbështetje për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe për misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bëri thirrje vetë serbëve që t’i largojnë ato.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”.
- Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.