Ndërlidhjet

SHBA: Rusia po zgjeron arsenalin e saj bërthamor


Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, Bruksel, 12 tetor 2022.
Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, Bruksel, 12 tetor 2022.

Rusia po zgjeron arsenalin e saj bërthamor, tha të premten Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, në kohën kur presidenti rus Vladimir Putin disa herë ka sugjeruar se ai mund të përdorte armë bërthamore “për të mbrojtur Rusinë”.

“Rusia gjithashtu po modernizon dhe zgjeron arsenalin e saj bërthamor”, tha Austin në ceremoninë për komandantin e ri të Komandës Strategjike të SHBA, e cila mbikëqyr arsenalin bërthamor të vendit.

“Derisa Kremlini vazhdon luftën e tij mizore dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, e gjithë bota e ka parë Putinin të përfshihet në vringëllimën e papërgjegjshme me armë bërthamore”, shtoi Austin, raporton Reuters.

Presidenti rus Vladimir Putin, më 7 dhjetor, deklaroi se rusët “do të mbrohen me të gjitha mjetet në dispozicion”.

Ai tha se rreziku i një lufte bërthamore po rritet, por se Rusia e sheh arsenalin e saj “si një mjet hakmarrjeje dhe jo që të sulmojë e para”.

“Ne i kemi këto mjete në një formë më të avancuar dhe më moderne se çdo vend tjetër bërthamor, por ne nuk do të vrapojmë nëpër botë duke i tundur këto armë si brisk”, tha Putin.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë zhvendosur, qytete të shumta ukrainase janë shkatërruar, sikurse dhe një pjesë e madhe e infrastrukturës së vendit, ndërkaq ekonomia globale është tronditur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG