Ndërlidhjet

SHBA: Nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës "duhet të jetë prioriteti më i lartë".

"Kthimi kah dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë", shkroi Hovenier në Twitter.

Komentet vijnë një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata.

Hovenier tha se SHBA-ja i dënon këto akte dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve për përmbajtje.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan - u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t'i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna - i kundërshton këto zgjedhje.

Udhëheqësit e Kosovës i dënuan incidentet e së martës, ndërsa kryeministri Albin Kurti paralajmëroi shtim të forcave në veri.

Zyrtarë të KQZ-së thanë, po ashtu, se në rrethana të tilla, "nuk mund të punohet sipas planeve të parapara".

"Është e padrejtë të kërkohet nga zyrtarët tanë që të dërgohen në një vend ku ka pasiguri", tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Nga Serbia thanë se qëllim i institucioneve të Kosovës është që "t'i rrëmbejnë me dhunë katër komunat në veri", ndonëse nuk sollën ndonjë provë për këto pretendime.

Çfarë u parapriu tensioneve?

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë nisën të rriten qysh në verë, kur Qeveria e Kosovës tha se nuk do të lejojë më në veri makina me targa që i lëshon Serbia.

Duke kundërshtuar këtë plan, që nisi të zbatohej më 1 nëntor, serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina pezulloi planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.

Tash për tash, nuk është e qartë nëse serbët e veriut do të mund të kthehen në institucionet e Kosovës dhe nëse po, si?!

Shpallja e zgjedhjeve në veri nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte obligim ligjor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG