Ndërlidhjet

Nenad Rashiq emërohet ministër në Qeverinë e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (djathtas) me politikanin serb të Kosovës, Nenad Rashiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (djathtas) me politikanin serb të Kosovës, Nenad Rashiq.

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se është emëruar në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Vendimin e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Kjo pozitë deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.

Për të njëjtën arsye, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.

Viteve të fundit Rashiq ka vepruar si politikan opozitar serb në Kosovë.

Para formimit të Listës Serbe më 2013 – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e Qeverisë.

Më 2020, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati emëruar Rashiqin si drejtor të Zyrës për Komunitete, mirëpo ai ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria Speciale.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar atë nga aktakuza për “keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Lista Serbe: Emërimi i Rashiqit, jokushtetues

Lista Serbe ka reaguar ndaj emërimit të Rashiqit duke thënë se një vendim i tillë është jokushtuteues dhe është marrë pa pëlqimin e deputetëve serbë.

Kjo parti ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se Kurti me këtë vendim ka “shkelur brutalisht të ashtuquajturën kushtetutë”.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që zgjedhja e ministrave dhe zëvendësministrave të bëhet pas konsultimit me partitë, koalicionet apo grupet që përfaqësojnë komunitetet pakicë.

Mirëpo, nëse një person që nuk vjen nga radhët e partisë parlamentare emërohet ministër apo deputet, atëherë një gjë e tillë duhet të miratohet nga shumica e deputetëve të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës dhe që përfaqësojnë komunitetin përkatës.

Në Kuvendin e Kosovës dhjetë ulëse janë të rezervuara për komunitetin serb dhe deri në fillim të nëntorit të dhjetat i përkisnin Listës Serbe.

Megjithatë, ata janë zëvendësuar me dorëheqjen e deputetëve, kështu që aktualisht nëntë janë nga radhët e Listës Serbe, ndërsa deputeti i dhjetë është Cvetko Velkoviq nga Iniciativa Qytetare (GI) për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

GI Për Liri dhe Mbijetesë e ka mbështetur Nenad Rashiqin, duke pasur parasysh se ai personalisht nuk mori pjesë në zgjedhje për shkak të aktakuzës që ishte ngritur kundër tij.

Por, pas marrjes së mandatit, Veljkoviq deklaroi se në periudhën në vijim do të veprojë si kandidat i pavarur dhe do të mbrojë interesat e Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG