Ndërlidhjet

NATO zotohet për më shumë ndihmë për Ukrainën


Takimi i ministrave të NATO-s në Bukuresht më 29 nëntor.
Takimi i ministrave të NATO-s në Bukuresht më 29 nëntor.

Aleatët e NATO-s janë zotuar se do të ndihmojnë Ukrainën që të riparojë infrastrukturën e energjisë që është dëmtuar rëndë nga sulmet ruse.

Ukraina paraprakisht u kishte bërë thirrje partnerëve perëndimorë që t’i dërgojnë pajisje specifike për shpërndarjen e energjisë në mënyrë që të rindërtojë rrjetin e saj elektrik.

NATO u zotua se do të rrisë mbështetjen për Ukrainën, përfshirë edhe ofrimin e pajisjeve për riparimin e infrastrukturës energjetike, teksa ministrat e Jashtëm të aleancës u takuan më 29 nëntor në Bukuresht. Në deklaratën ministrave po ashtu u dënuan “sulmet e vazhdueshme dhe të paarsyeshme” që po “privojnë miliona ukrainas nga shërbimet bazike njerëzore”.

Që nga tetori, Rusia ka sulmuar rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën e ngrohjes, që Kievi dhe aleatët e tij thonë se është një fushatë e qëllimshme për të dëmtuar civilët.

Sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë nga Rusia, sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, po bëhet që Moska të përdorë motin e ftohtë “si armë lufte”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se Ukraina ka nevojë për pajisje për të riparuar furnizimin me rrymë për qytetarët që kanë mbetur në terr dhe pa ngrohje, për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik.

“Nëse do të kemi transformatorë dhe gjeneratorë, ne mund të rikthejmë energjinë që na duhet”, tha Kuleba për gazetarët në Bruksel, teksa po mbahej takimi i NATO-s. “Nëse kemi sisteme të mbrojtjes ajrore, ne mund të mbrohemi nga sulmet e reja me raketa ruse. Ukrainës më së shumti i duhen Patriot [sistem amerikan i mbrojtjes ajrore] dhe transformatorë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara thanë se do t’i japin 53 milionë dollarë për të mbështetur blerjen e pajisjeve për rrjetin elektrik. Ai tha se këto pajisje do të dërgohen me shpejtësi “për të ndihmuar ukrainasit që ta kalojnë dimrin”. Sipas një deklarate të Departamentit amerikan të Shtetit, në pakon e ndihmës përfshihen transformatorët për shpërndarjen e energjisë, ndërprerës elektrikë dhe pajisje të tjera.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë tha se NATO duhet të marrë vendim politik për të dërguar tanke moderne në Ukrainë që t’i ndihmojë Kievit të krijojë avantazh ushtarak gjatë muajve të dimrit.

“Kam biseduar me disa ekspertë ushtarakë dhe përgjigja që kam dëgjuar është se nëse ne u ofrojmë tanke gjatë këtij dimri, le të themi në janar, kjo mund ta bëjë dallimin”, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.

Dyert e NATO-s, “të hapura për Ukrainën”

Në takimin në Bukuresht, NATO ka dyfishuar përkushtimin e saj që një ditë Ukraina të bëhet pjesë e aleancës, një zotim që shumë zyrtarë dhe analistë besojnë se ndihmoi në nxitjen e pushtimit rus. Aleanca më e madhe e sigurisë në botë po ashtu premtoi se do të dërgojë më shumë ndihmë për forcat ukrainase që po përballen me forcat ruse.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua me ministrat e Jashtëm të NATO-s në Rumani, për të marrë mbështetjen për Ukrainën, teksa Rusia po vazhdon bombardimet ndaj infrastrukturës ukrainase të energjisë. Liderët e NATO-s thanë se Rusia nuk mund të ndalë zgjerimin e aleancës.

“Dera e NATO-s është e hapur” tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para se të niste takimi në Bukuresht.

Ai po ashtu lavdëroi Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi që së fundmi janë anëtarësuar në NATO dhe tha se presidenti rus, Vladimir Putin, “do t’i ketë Finlandën dhe Suedinë anëtare të NATO-s” shumë shpejt. Këto dy shtete nordike kanë aplikuar për anëtarësim në prill, pas shqetësimeve se Rusia mund t’i shënjestrojë.

“Rusia nuk ka veto” sa i përket shteteve që anëtarësohen në NATO, tha Stoltenberg. “Ne qëndrojmë pas kësaj dhe po ashtu sa i përket anëtarësimit të Ukrainës”.

Kur liderët e NATO-s ishin takuar në Bukuresht më 2008 kishin thënë se Ukraina dhe Gjerogjia një ditë do të jenë pjesë e aleancës.

Stoltenberg tha se zgjerimi i NATO-s nuk do të pengohet.

“Presidenti Putin nuk mund të mohojë shtetet sovrane që të ndërmarrin vendime sovrane, të cilat nuk paraqesin kërcënim për Rusinë”, tha ai.

Megjithatë, Ukraina nuk pritet t’i bashkohet NATO-s në një të ardhme të afërt.

Shumë nga 30 anëtarët e NATO-s besojnë se përqendrimi kryesor tani duhet të jetë në ndihmën ndaj Ukrainës që të mbrohet nga Rusia dhe Stoltenberg tha se çdo lëvizje drejt anëtarësimit do të mund të shkaktonte ndarje.

“Ne jemi në mes të një lufte, prandaj nuk duhet të bëjmë asgjë që do të minonte unitetin e aleatëve tanë në ofrimin e ndihmës ushtarake, humanitare dhe financiare për Ukrainën sepse ne duhet të pengojmë presidentin Putin që të fitojë”, tha ai.

Përveç ndihmës së menjëhershme, NATO tha se dëshiron të ndihmojë Ukrainën në terma afatgjatë duke përditësuar pajisjet e epokës sovjetike me pajisje moderne, me standarde të aleancës, por edhe duke i ofruar stërvitje ushtarake.

Në deklaratën e ministrave të NATO-s po ashtu u tha se Ukraina do të ndihmohet që ta rindërtojë vendin pasi lufta të mbarojë.

Disa nga ministrat ofruan ndihmë ushtarake për Ukrainën, të tjerët ndihmë financiare.

Sllovakia tha se do të dërgojë 30 makina të blinduara dhe më shumë artileri. Ministri i Jashtëm i Estonisë, Urmas Reinsalu, u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që të zotohen që të japin 1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për Ukrainën, përmes mbështetjes ushtarake.

Megjithatë, shumica e aleatëve të NATO-s po hasin në vështirësi që të kontribuojë me 2 për qind të BPV-së për buxhetin e tyre për mbrojtjen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG