Ndërlidhjet

Daçiq e quan hipokrizi nisjen e masave disiplinore nga FIFA ndaj Serbisë


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të dielën se Serbia si shtet nuk mund të reagojë ndaj faktit që Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka iniciuar procedurë ndaj kombëtares së Serbisë sepse ato janë organizata sportive, por ai e ka vlerësuar këtë veprim si hipokrit, transmeton Beta në Serbi.

FIFA ka nisur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pasi një flamur që tregonte Kosovën si pjesë e Serbisë ishte varur në dhomën e zhveshjes para ndeshjes që Serbia luajti me Brazilin në Kupën e Botës.

Serbia luajti kundër Brazilit më 24 nëntor dhe humbi me rezultat 0 me 2.

Një fotografi e flamurit me mesazhin “Nuk ka dorëzim” në serbisht u bë virale në rrjetet sociale kur u shpërnda nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku.

Çeku, e përshkroi imazhin si veprim i përfaqësueses së Serbisë për të përdorur Kupën e Botës për të promovuar "mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale".

“Presim veprime konkrete nga FIFA duke pasur parasysh se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është anëtare e plotë e FIFA-s dhe UEFA-s”, shkroi ai.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq , duke iu referuar nisjes së procedurave disiplinore ndaj përfaqësueses së Serbisë, tha se nuk ka asgjë fyese nëse dikush thotë “Nuk ka dorëzim”.

“Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i Kombeve të Bashkuara, me Kosovën pjesë të Serbisë, çfarë nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe çfarë është ofenduese. Ky është një tregues se sa nuk ka parime, por standarde të dyfishta. Ata kurrë nuk e ndëshkonin Ukrainën kur thoshte se 'Donbasi është i yni' dhe 'Krimea është e jona', cili është dallimi”, pyeti Daçiq.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka njoftuar me 26 nwntor se ka nisur masa disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit për varjen e një flamuri me përmbajtje politike në raport me Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante të enjten me Brazilin në Kupën e Botës në Katar.

FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë "gjestet, shenjat ose gjuhën fyese" dhe "përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive".

FIFA nuk dha një afat kohor se kur do të merret vendimi, megjithëse Serbia do të luajë të hënën, më 28 nëntor kundër Kamerunit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG