Ndërlidhjet

Ambasadori gjerman: Absurde të rrezikohet përshkallëzimi për shkak të targave


Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“E përsëris, është absurde që të rrezikohet përshkallëzimi i situatës për shkak të targave”, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai shkroi në Twitter se është mirë që përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka më shumë kohë që të punojë me palët për të gjetur një zgjidhje.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mesnate vendosi ta shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës.

Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.

Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës kishte planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.

Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Më 21 nëntor, takimi në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rezultoi pa marrëveshje.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG