Forcat iraniane të sigurisë qëlluan për vdekje të paktën tre persona në provincën perëndimore të Kurdistanit, në protestat e fundit vdekjeprurëse të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, tha një grup i të drejtave të njeriut.
Organizata për të Drejtat e Njeriut, Hengaw, me bazë në Norvegji tha më 19 shtator se tre persona u vranë në qytetin Divandarreh – pjesë e rajonit kurd të Iranit – ku protestat lidhur me vdekjen e Aminit kanë qenë më të mëdhatë.
Gjatb muajit të kaluar raportohet për dhjetëra persona të vrarë në protestat në Iran.
Në fillim të kësaj jave, Irani shqipton dënimin e parë me vdekje për pjesëmarrje në protesta.
- Irani shqipton dënimin e parë me vdekje për pjesëmarrje në protesta
- SHBA-ja sanksionon gjashtë punonjës medial në Iran
Protestat kundër establishmentit klerik të Iranit shpërthyen dy muaj më parë, pas vdekjes në paraburgim të një gruaje 22 vjeçe, e cila u arrestua nga policia e moralit për, siç u tha, shkelje të rregullave të hixhabit.
Autoritetet thonë se Mahsa Amini humbi jetën nga sulmi në zemër, por familja e saj dhe iranianë të tjerë besojnë se ajo vdiq si rezultat i rrahjes nga policia.
Raportohet se protestat janë përhapur në 140 qytete dhe qyteza të Iranit dhe se janë shndërruar në sfidën më të madhe për Republikën Islamike në më shumë se dhjetë vjet.
Së paku 326 protestues, përfshirë 43 fëmijë dhe 25 gra, u vranë nga dhuna e forcave të sigurisë, tha Grupi për të Drejtat e Njeriut në Iran.
Udhëheqësit e Iranit i kanë cilësuar protestat si “trazira” të nxitura nga armiqtë e huaj të vendit.
Hixhabi – mbulesa e kokës që vishet nga gratë myslimane – është i detyrueshëm që të vishet në publik nga gratë dhe vajzat iraniane nga mosha 9-vjeçare.