Tash e katër javë po vazhdojnë alarmimet nëpërmjet postës elektronike për vendosjen e bombave në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut, ndërsa i fundit ishte ai i 16 nëntorit.
Më 26 tetor për herë të parë, nëntë shkolla të mesme në qytetin e Shkupit përmes postave elektronike u alarmuan për vendosjen e bombave, megjithëse të gjitha rezultuan të rrejshme.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se menjherë pas njoftimeve për alarme për bomba nëpër objektet e shkollave, pjesëtarët e Njësitit për luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit janë të parët që dalin në terren.
Nga ky dikaster thonë se nuk mund të japin detaje se sa kushton kontrolli i një alarmi për bombë dhe sa është numri i policëve që kontrollojnë objektin, pasi, siç theksojnë, këto janë informacione të klasifikuara.
Për policinë mbetet indikativ fakti se tri ditë brenda javës (të mërkurën, enjten dhe të premten) në një turn, gjithmonë në atë të dytë, shkollat marrin paralajmërime për vendosjen e bombave që rezultojnë të rrejshme.
“Njoftimet lëshohen në një turn (turnin e dytë) kur ka një numër të caktuar të klasave dhe stafit mësimdhënës. Kur bëjmë analiza, analizojmë më shumë aspekte që t’i përfshijmë të gjithë në hetime, nëse bëhet fjalë për qëllime gjeostrategjike, apo për qëllime politike, qëllime ekonomike etj’’, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Policia ka bërë të ditur se përmes sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar tashmë ka kërkuar ndihmë dhe nga INTERPOL-i dhe EUROPOL-i për zbulimin e autorëve të emaileve kërcënuese me bomba në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut.
Cili është qëllimi?
Ekspertët e sigurisë dhe sociologët thonë se paralajmërimet për vendosje bombash në shkollat e mesme, rrisin panikun jo vetëm te nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, por tek e gjithë shoqëria.
“Përderisa këta individë apo grupe (të cilët i dërgojnë postat elektronike) mbeten enigmatikë, e gjithë çështja mbetet enigmatike dhe me arsye populli dyshon në vërtetësinë e këtyre ngjarjeve, po edhe në kompetencat e institucioneve të shtetit për t’i zbardhur dhe parandaluar ato”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Faton Murseli, ligjërues në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Tetovës.
Përderisa Zllate Dimoski, ligjërues në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, thotë për REL-in se paralajmërimi i vazhdueshëm për vendosje të bombave, pavarësisht se ato rezultojnë të rreme, rrisin mosbesimin qytetarëve tek institucionet.
“Ne, si shtet, duhet të angazhohemi me të gjitha forcat, këtu mendoj jo vetëm Ministria e Punëve të Brendshme po edhe institucionet e tjera të specializuara që disponojnë me kapacitete të resurseve njerëzore dhe ata teknike që grupeve që fshihen pas këtyre sulmeve kibernetike t’u bëhet me dije se nuk guxojnë ta keqpërdorin hapësirën kibernetike”, thotë Dimovski.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, kërcënimet nëpërmjet postës elektronike për vendosjen e bombave në shkollat e mesme, i ka cilësuar si sulm hibrid ndaj shtetit.
“Ky është një sulm hibrid mbi shtetin se është akt monstruoz pasi që pa dallim kush e bën këtë, e bën me qëllim që t’i shqetësojë fillimisht nxënësit, prindërit, kuadrin e mësimdhënësve dhe të gjithë shtetin”, ka thënë Spasovski.
Ai ka theksuar se institucionet përkatëse janë të përkushtuara maksimalisht për zbardhjen e këtyre rasteve duke u zotuar se shumë shpejt do të zbulohet njëri nga personat që dërgon postat elektronike me alarme të rrejshëm për bomba nëpër shkollat e mesme dhe zbulimit të njërit prej kryerësve.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar shkollat e mesme që të gjejnë mënyra për t’i kompensuar orët e humbura për shkak të evakuimit të nxënësve pas paralajmërimeve se në objektet e shkollave ku mësojnë, janë vendosur bomba.
Facebook Forum