Ndërlidhjet

Serbia lidh kontrata pune me serbët e dorëhequr në Kosovë


Serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës duke nënshkruar kontratat e ofruara nga Serbia, Mitrovicë e Veriut, 17 nëntor 2022.
Serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës duke nënshkruar kontratat e ofruara nga Serbia, Mitrovicë e Veriut, 17 nëntor 2022.

Në katër komunat në veri të Kosovës, sot ka filluar nënshkrimi i kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Prishtinës.

Kështu ka njoftuar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes së cilës po bëhet lidhja e kontratave.

Sipas njoftimit, me këto kontrata, serbët që i kanë braktisur institucionet “do t’i rregullojnë të gjitha obligimet juridike nga marrëdhëniet e punës, ato pensionale, sigurimet shëndetësore etj.

Në komunikatë nuk është shpjeguar se në cilat institucione serbe do të angazhohen, por se ata do t'i kenë nga shteti i Serbisë të gjitha të ardhurat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës. Shtohet se pagesat e para do të dalin në llogaritë e punëtorëve në dhjetor.

“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i dhënë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë e Metohi, të cilët kanë dalë nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit”, thuhet në komunikatë.

Institucionet e Kosovës nuk e kanë dhënë numrin e saktë të serbëve të dorëhequr, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se numri i tyre është rreth 3.500. Ai ka thënë se "përkujdesja" ndaj serbëve të dorëhequr do t’i kushtojë Serbisë 50 deri në 60 milionë euro.

Rikujtojmë se nga java e parë e nëntorit, qindra serbë të Kosovës janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës përfshirë Policinë, Gjykatën, Prokurorinë si dhe institucionet lokale e qendrore.

Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në veri të vendit, të cilat Kosova i konsideron të jashtëligjshme.

Nga 21 nëntori, Qeveria e Kosovës pritet që të nisë shqiptimin e gjobave për ata që ende nuk e kanë bërë këtë riregjistrim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG