Ndërlidhjet

Lista Serbe: I morëm mandatet në Kuvend për t'i ruajtur


Betimi i deputetëve të rinj serbë në Kuvendin e Kosovës, 17 nëntor 2022.
Betimi i deputetëve të rinj serbë në Kuvendin e Kosovës, 17 nëntor 2022.

Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan sot në Kuvendin e Kosovës për të "verifikuar teknikisht mandatet e tyre" dhe "për t'i mbajtur ato në duar të sigurta".

"Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës", thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Rikujtojmë se deputetët që u betuan sot po zëvendësojnë mandatet e dhjetë deputetëve të mëhershëm, të gjithë nga Lista Serbe.

Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe, si dhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Menjëherë pas betimit, këta deputetë u larguan nga salla e Kuvendit.

Dorëheqjet e deputetëve, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Milan Joksimoviq nga Lista Serbe tha në një konferencë për media në Graçanicë se verifikimi i sotëm i mandateve, është një “akt krejtësisht politik dhe kjo nuk do të thotë që do të marrim pjesë aktive në punën e Kuvendit”.

Në reagimin e Listës Serbe thuhet se me marrjen e mandateve është parandaluar "plani i (kryeministrit të Kosovës)Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm ndaj tij për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore".

Sipas Listës Serbe, plani synon "marrjen e pasurisë nga Kisha Ortodokse, shuarjen e komunave serbe, gjuhës serbe dhe të drejtën (e serbëve) për përfaqësim në institucione".

Ata kanë përmendur Rada Trajkoviqin nga Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë si një njeri që punon në atë që Lista Serbe po e quan plan.

Plani, për të cilën Lista Serbe pretendon që ekziston, nuk është i njohur për publikun kosovar.

Rada Trajkoviq nga Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në rrjetin social, Twitter, ka thënë se Lista Serbe ka marrë nëntë mandatet "në mënyrë që të pengojë hyrjen time në Kuvend dhe që të pamundësojë që komuniteti serb në Kosovë më në fund të ketë përfaqësuesit e tij të vërtetë".

Trajkoviq, më 10 nëntor, i tha Radios Evropa e Lirë se prania në institucionet qendrore është me rëndësi shumë të madhe.

“Jo vetëm për shkak të veriut, por edhe për shkak të jugut – po mendoj për serbët në jug të lumit Ibër, të cilët, ndonëse kanë qenë tërësisht të lënë pas dore dhe të përfaqësuar në mënyrë joadekuate – sot duhet të përpiqemi që sërish të punojmë në projektet e përbashkëta me deputetët shqiptarë. Ne nuk mund të ikim nga njëri-tjetri, cilado qoftë zgjidhja që do të zgjedhim”, tha Trajkoviq.

Deputeti i sapozgjedhur, Cvetko Velkoviq nga partia e saj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konfirmoi se ai planifikon ta mbajë mandatin e tij, "pa marrë parasysh veprimet e Listës Serbe".

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Deri më 7 nëntor, dhjetë deputetët përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë ishin: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Deçiq dhe Dragana Antonijeviq.

Këta deputetë ishin të gjithë nga Lista Serbe, që konsiderohet partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke e zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Nga 21 nëntori pritet të shqiptohen gjoba për të gjithë qytetarët që përdorin targa me akronime qytetesh si PR, KM e të tjera që Kosova i konsideron të jashtëligjshme.

Beogradi zyrtar insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare deri më tani ka insistuar se nuk heq dorë nga vendimi i saj.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave të paligjshme serbe.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia ka prezantuar këtë propozim kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel.

Bislimi tha të mërkurën se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG