Ndërlidhjet

Borrell: 21 nëntori nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat


Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

"Jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke komentuar tensionet në rritje midis Kosovës dhe Serbisë.

Borrell tha se të dyja palët duhet urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.

Ai i bëri komentet në një konferencë për media në Bruksel, pas një takimi që zhvilluan ministrat e Jashtëm të BE-së për çështje që lidhen me Ballkanin Perëndimor.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto makina, rreth 9.000 sosh, qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Borrell tha se 21 nëntori - dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme - nuk duhet t'i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.

Në të kundërtën, "do të kemi situatë të rrezikshme", tha Borrell, duke mos elaboruar më shumë.

Borrell tha se kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ndodhet mbrëmjen e së hënës në Bruksel, për të biseduar për çështjen e targave dhe të tjera.

Ai tha se pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

"Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte. Jam i gatshëm të bisedoj me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike për çështjen e targave dhe atë para 21 nëntorit - që është afati i fundit", tha Borrell.

Më herët, ai tha se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e kësaj krize.

"Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]", tha Borrell.

Ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falënderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën e ofruar.

Borrell tha se Kosova dhe Serbia janë në udhëkryq dhe se "duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në të kaluarën, apo drejt BE-së".

Video nga arkivi i REL-it: Si duken institucionet në veri?

Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:31 0:00

Në BE, disa diplomatë pranojnë se nuk janë të kënaqur me ecurinë e deritashme të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe përgjegjësinë për ngecje dhe rritje të tensioneve ua bartin dy vendeve.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata qysh në vitin 2011.

Pritjet kanë qenë që pas takimit të fundit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që është zhvilluar më 18 gusht në Bruksel, të ketë më shpesh takime të tilla - së paku një herë në muaj. Por, nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Komuniteti ndërkombëtar, gjithashtu, i ka intensifikuar thirrjet për Kosovën që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, kërkon që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG