Ndërlidhjet

SHBA: Tërheqja e Rusisë nga Hersoni, fitore e jashtëzakonshme për Ukrainën


Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, gjatë qëndrimit në Kiev më 4 nëntor 2022.
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, gjatë qëndrimit në Kiev më 4 nëntor 2022.

Shtëpia e Bardhë tha më 12 nëntor se tërheqja e Rusisë nga qyteti ukrainas i Hersonit është një “fitore e jashtëzakonshme” për Ukrainën.

“Duket sikur ukrainasit sapo kanë shënuar një fitore të jashtëzakonshme në një prej kryeqyteteve rajonale që Rusia kishte marrë nën kontroll, e që tani është nën kontrollin ukrainas. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme”, tha për gazetarët këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, teksa shoqëroi presidentin amerikan, Joe Biden, në samitin ASEAN në Kamboxhia.

Sullivan i bëri këto deklarata disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Hersoni është “i yni”, pasi forcat speciale ukrainase hynë në qytetin strategjik që gjendet në jug të Ukrainës.

Rusët u tërhoqën nga Hersoni, duke bërë që Kievi të shënojë një fitore të rëndësishme në fushëbetejë, teksa forcat ukrainase po vazhdojnë të rimarrin territorin qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar në fund të shkurtit.

Video të postuara në rrjetet sociale shfaqën qytetarë me flamuj kombëtarë të Ukrainës duke mirëpritur arritën e trupave ukrainase në qytet.

“Ne po fitojmë betejat në terren. Por, lufta vazhdon”, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pasi Ukraina mori Herosnin.

Duke folur në samitin e Azisë Juglindore në Kamboxhia më 12 nëntor, Kuleba tha se marrja e qytetit ishte e vështirë.

“E kuptoj që të gjithë duan që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne jemi ata që e duam këtë gjë më së shumti”, tha Kuleba gjatë takimit me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese.

Ndërkaq, Sullivan tha se tërheqja e rusëve “mund të ketë implikime më të gjera strategjike”, përfshirë edhe zbutjen e kërcënimit afatgjatë nga Rusia ngaj qyteteve të tjera jugore ukrainase, sikurse Odesa.

“Është moment i rëndësishëm edhe për shkak të këmbënguljes dhe aftësisë së jashtëzakonshme të ukrainasve, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, tha Sullivan.

I pyetur rreth raportimeve se administrata Biden ka nisur t’i kërkojë Zelenskyt që të eksplorojë mundësitë për bisedime me Moskën, Sullivan tha se Rusia, dhe jo Ukraina, është pala që duhet të vendosë nëse dëshiron të ulet në tavolinën e bisedimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG