Ndërlidhjet

Oligarku ukrainas i sanksionuar nga SHBA-ja merr shtetësi maqedonase


Oligarku Oleksandr Onyshenko. 12 dhjetor 2012.
Oligarku Oleksandr Onyshenko. 12 dhjetor 2012.

Oligarku ukrainas, Oleksandr Onyshenko, i cili është arratisur nga drejtësia në Ukrainë dhe është i sanksionuar nga SHBA-ja, ka marrë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut.

Ai ishte futur në listën e sanksioneve SHBA-së më 31 maj të vitit 2021, për shkak se ishte pjesë e një rrjeti rus që ndërhyu në zgjedhjet amerikane. Ai po ashtu ka edhe shtetësi ruse.

Kjo u bë e ditur të premten, më 11 nëntor, nga deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Misllososki dhe Rrjeti ballkanik për gazetari hulumtuese, BIRN.

“Jo vetëm narko-mafiozët e njohur Sedat Peker dhe Jovan Vukotiç kanë marrë shtetësi maqedonase. Lista e atyre që kanë paguar ‘taksa më të shtrenjta’ tek Oliveri [Oliver Spasovski, ministri i Punëve të Brendshme] është më e gjatë. Politikani i arratisur ukrainas nën sanksione amerikane, merr shtetësi maqedonase”, ka shkruar Milloshkoski në Facebook.

Sipas të dhënave të Qeverisë, Onyshenko kërkesën për shtetësi maqedonase e ka paraqitur në vitin 2021, me propozim Federatës së Sporteve me Kuaj, ndërsa mendim pozitiv kanë dhënë Agjencia për Rini dhe Sport, por edhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB).

Në mbledhjen e Qeverisë, më 31 maj, vendimi për dhënien e pëlqimit për shtetësi është bazuar në “dosjen e pastër”.

Kërkesa për shtetësi nga ai është bërë si shtetas i Rusisë, pasi përveç shtetësisë ukrainase ai ka pasur edhe shtetësi ruse, raporton BIRN.

Onyshenko, i cili u pasurua nga biznesi i gazit, është në arrati që nga viti 2016, pasi ndaj tij u hap një hetim në Ukrainë për korrupsion dhe pastrim parash.

Pas kësaj, ai arratiset nga Ukraina në drejtim në Spanjës.

Pasi autoritet e Kievit shpallin fletarrest ndërkombëtar, Spanja vendos ekstradimin e tij, por Onyshenko arrin të ekstradohet në Gjermani. Ky shtet në vitin 2020 ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për ekstradim.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i ka komentuar informacionet e publikuara për dhënien e shtetësisë për oligarkun, Oleksandr Onyshenko.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG