Ndërlidhjet

Borrell takon ndaras Kurtin dhe Vuçiqin në Paris


Kurti vuqiqi borrell loop.mp4

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u takua të premten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Paris, ku po mbahet Forumi i Paqes, por nuk pati takim të përbashkët ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Në këto dy takime ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Këto takime janë zhvilluar në mes të krizës në veri të Kosovës, pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Prishtinës zyrtare për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës dhe nuk ka pranuar të shtyjë datën e nisjes të zbatimit, me gjithë insistimin e komunitetit ndërkombëtar.

Borrell kërkoi nga Kosova edhe nisjen e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe po ashtu kërkoi nga dy palët të gjejnë zgjedhje urgjente ndaj krizës aktuale dhe të jenë të gatshëm për kompromis.

“Ambienti aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshëm tejkalimin e trashëgimive të së kaluarës dhe angazhimin në negociata kuptimplote për gjërat e rëndësishme për Kosovën, Serbinë, popujt e tyre dhe gjithë rajonin – që është normalizimi i marrëdhënieve mes dy palëve, si faktor kyç për ecjen përpara në rrugën e tyre evropiane”, tha Borrell në këto takime, sipas komunikatës së lëshuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Borrell do të raportojë para Këshillit të Ministrave të BE-së më 14 nëntor për diskutimet e tij në dy takimet me Kurtin dhe Vuçiqin, si dhe do të japë analizën e tij për situatën mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit tha se nuk duhet të humbet fokusi nga marrëveshja finale me Serbinë shkaku i problemeve të fundit.

“Ne nuk duhet t'i vonojmë bisedimet për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, ndërkohë që i adresojmë çështjet aktuale”, shkroi Kurti në Twitter.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, gjatë këtij takimi, Kurti “theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër” dhe e cilësoi propozimin franko-gjerman si “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.

“Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, thuhet gjithashtu në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa Vuçiqi tha se "është e rëndësisë së veçantë që institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë se Prishtina duhet të nisë përfundimisht t’i kryejë obligimet e veta, që, pikë së pari, kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Ne u pajtuam që është e nevojshme të ulen të gjitha tensionet, të qetësohet situata dhe të zgjidhen problemet në mënyrë të arsyeshme, siç insiston gjithmonë Serbia”, tha presidenti serb.

Pas takimit, ai tha se nuk beson që një zgjidhje do të arrihet në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, që do të zhvillohet më 14 nëntor.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.

*Video: Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri

Gjatë së enjtes, Kurti dhe Osmani u takuan me kryeministrin francez, Emmanuel Macron. Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, u tha se ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

"Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]", thuhej në komunikatë.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG