Ndërlidhjet

Ministri serb i Mbrojtjes: Situata në Kosovë shkakton "shqetësim të thellë"


Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, gjatë takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Colomin Piriza.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, gjatë takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Colomin Piriza.

“Situata në Kosovë shkakton shqetësim të thellë për Republikën e Serbisë”, tha zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, gjatë një takimi me Zëvendës-ndihmës sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe ato të Sigurisë, Javier Colomina.

Sipas Vuçeviqit, “kriza aktuale u shkaktua nga mos-zbatimi i marrëveshjes së Brukselit nga Prishtina, e cila nuk e përmbushi detyrimin e saj të vetëm, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, më 9 nëntor, që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit dhe që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targat.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës - të banuar me shumicë serbe - që nga paslufta, më 1999.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), tha sot se ka përforcuar njësitë e saj rezervë me 23 xhandarë nga karabinierët italianë, me qëllim që t’i ofrojë ndihmë autoriteteve në Kosovë, nëse është e nevojshme.

Më 7 nëntor, sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për “situatën e tensionuar në veri të Kosovës”. Ai u kishte kërkuar të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës.

Ambasadori Hovenier tha se janë të shqetësuar për situatën në veri, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG