Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që Uashingtoni të qëndrojë i bashkuar, teksa janë ngritur pyetje rreth mbështetjes amerikane për shtetin e tij pas zgjedhjeve të mesmandatit, që do të përcaktojnë se kush e kontrollon Kongresin amerikan.
“Iu bëj thirrje të qëndroni të bashkuar, sikurse tani, deri në ditën kur ne të gjithë të dëgjojmë ato fjalë të cilat i ëndërrojmë... derisa të dëgjojmë se paqja më në fund është rivendosur. Demokracitë nuk duhet të ndalen në rrugën e tyre për fitore”, tha ai.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka qenë aleat kyç i Kievit në furnizimet me armë dhe ndihma financiare pas pushtimit rus të Ukrainës.
Zgjedhjet në SHBA po mbahen për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit amerikan.
Nëse demokratët e Bidenit humbin zgjedhjet, atëherë mund të vihet në pikëpyetje mbështetja e fuqishme e SHBA-së për Kievin.
“Si në çdo shoqëri demokratike, ukrainasit kanë mendime të ndryshme për jetën dhe politikën. Si në rastin e viteve të kaluara, ne kemi qenë të ndarë dhe kemi pasur mëdyshje nëse do të mund të bashkohemi”, tha Zelensky.
“Por, kur Rusia vendosi të shkatërrojë lirinë tonë dhe ta zhdukë Ukrainën nga faqja e dheut, ne menjëherë u bashkuam”, shtoi ai.
Kongresi amerikan ka ndarë 40 miliardë dollarë për Ukrainën në maj, si pjesë e mbështetjes për ushtrinë ukrainase, dhe gjatë kësaj jave Kievi pranoi nga Uashingtoni më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.