Ndërlidhjet

Bisedimet me Kremlinin, “në interes” të SHBA-së


Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, gjatë vizitës së tij në Ukrainë, më 4 nëntor.
Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, gjatë vizitës së tij në Ukrainë, më 4 nëntor.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka konfirmuar se linjat e komunikimit mes SHBA-së dhe Rusisë mbeten të hapura, me gjithë luftën në Ukrainë, raporton BBC.

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, të hënën, Sullivan tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin.

Komentet e Sullivanit u bënë pas një lajmi nga gazeta amerikane The Wall Street Journal më 6 nëntor, ku thuhej se ai kishte zhvilluar bisedime, që nuk u bënë publike, me zyrtarë të lartë rusë me shpresën se do të ndikojë në uljen e rreziqeve të përshkallëzimit të pushtimit rus të Ukrainës në një konflikt nuklear.

Paraprakisht, The Washington Post kishte raportuar se Uashingtoni po e inkurajonte privatisht Ukrainën të sinjalizonte se është e hapur ndaj negociatave me Rusinë, pasi që Departamenti i Shtetit thoshte se Moska po e përshkallëzonte luftën dhe nuk dëshironte me të vërtetë të përfshihej në bisedime për paqe.

The Washington Post, duke cituar burime anonime, raportonte se kërkesa e zyrtarëve amerikanë nuk kishte qëllim ta shtynte Ukrainën drejt tavolinës së negociatave, por ishte një tentim i kalkuluar për t’u siguruar që Kievi ta ketë edhe më tutje mbështetjen e vendeve të tjera.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në adresimin e tij më 7 nëntor se është i hapur ndaj bisedimeve me Rusinë, por vetëm bisedimeve “të vërteta” që do të rezultonin me kthimin e kufijve të Ukrainës, dëmshpërblime për sulmet ruse dhe ndëshkime për ata që kanë kryer krime lufte.

Zelensky e nënshkroi një dekret më 4 tetor duke i deklaruar formalisht “të pamundura” negociatat me presidentin rus, Vladimir Putin, por duke e lënë derën hapur për bisedime me Rusinë.

Sullivan tha, gjatë një ngjarjeje publike në Nju Jork, se administrata e Bidenit e ka “obligim të kërkojë llogaridhënie” dhe premtoi se do të punojë me partnerë ndërkombëtarë për t’i “vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve të rënda dhe groteske të luftës në Ukrainë për atë që kanë bërë”, raporton BBC.

Ai nuk dha më shumë sqarime për linjat e komunikimit që po mbahen mes Uashingtonit dhe Moskës, por insistoi se zyrtarët amerikanë janë “syhapur se me kë kanë të bëjnë”.

Sullivan udhëtoi në Kiev më 4 nëntor dhe e premtoi mbështetjen e palëkundshme të Uashingtonit për Ukrainën.

Vizita e palajmëruar e tij përkoi me lajmin e po asaj dite nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së për një tjetër furnizim me armë për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh.

“Unë isha në Kiev të premten dhe e pata mundësinë t’i takoja presidentin [Volodymyr] Zelensky dhe kolegun tim Andriy Yermak, së bashku me udhëheqësit ushtarakë, dhe u njoftova për nivelin e vdekjeve dhe shkatërrimit që ka shpërthyer nga lufta e Putinit në atë vend”, është cituar të ketë thënë Sullivan nga BBC, më 7 nëntor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, nuk pranoi t’i komentonte këto raportime të mediave amerikane.

“I kam parë ato lajme. Kështu që, ju e dini... dhe shikoni, njerëzit pretendojnë shumë gjëra për bisedat që ne... që SHBA-ja i bën ose nuk i bën”, tha Jean-Pierre gjatë një konference më 7 nëntor. “Unë nuk kam asnjë bisedë specifike për t’ua lexuar juve”.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha më 8 nëntor se “kushti kryesor” për zhvillimin e negociatave me Rusinë do të ishte restaurimi i integritetit territorial të Ukrainës.

Danilov shkroi në Twitter se Ukrainës gjithashtu i nevojitet "garancia" e mbrojtjes moderne ajrore, avionëve, tankeve dhe raketave me rreze të gjatë.

Sipas The Wall Street Journal, Sullivan kishte zhvilluar bisedime konfidenciale gjatë muajve të fundit me këshilltarin për politikë të jashtme në Kremlin, Yury Ushakov, dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Nikolai Patrushev – bisedime këto që nuk iu bënë të ditura publikut.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve më 7 nëntor se përderisa Rusia mbetet “e hapur” për bisedime, e ka të pamundur të negociojë me Kievin shkaku i refuzimit të ukrainasve për të negociuar me Rusinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG