Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.
Ai i ka bërë këto deklarata pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.
Borell ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.
“Zhvillimet e fundit rrezikojnë punën e madhe që është bërë në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai.
Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.
Në deklaratën e BE-së është përmendur po ashtu kërkesa ndaj autoriteteve të Kosovës për të shtyrë afatin e riregjistrimit të makinave dhe që të pezullojnë masat ndëshkuese ndaj pronarëve që kanë makina me targa serbe.
“Çështja e targave mund të zgjidhet nga palët në kuadër të dialogut”, është thënë në deklaratë.
Zhvillimet e 5 nëntorit në veri
Plani për targat
Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj - në tri faza - për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.
Thirrjet për formim të Asociacionit
Përveç kërkesës së serbëve për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, thirrje për zbatim të marrëveshjes për këtë çështje ka bërë edhe BE-ja.
“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Asociacioni duhet të zbatohet. Prandaj, themelimi është një obligim ligjor për Kosovën. Dështimi në implementim dëmton sundimin e ligjit në Kosovë dhe ia dëmton reputacionin”, është thënë në deklaratën e Borrellit.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.