Ndërlidhjet

Policia e Kosovës nuk ka dërguar forcat speciale në veri


Logoja e Policisë së Kosovës.
Logoja e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka thënë të shtunën se nuk ka dërguar njësitet speciale të saj në veri të Mitrovicës, siç kanë raportuar disa media lokale në Kosovë dhe Serbi.

Këto raportime kanë ardhur pas vendimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, që të largohet nga institucionet e Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës në veri.

Lista Serbe ka nisur paralajmërimet për largime të tilla, pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.

Pas njoftimit për dorëheqje, Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale, do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore për të garantuar sigurinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar të shtunën të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos braktisin institucionet e Kosovës.

“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.

“Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në anën tjetër, ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.

Petkoviq ka thënë se synimi i serbëve është që “me vendimin e tyre të vihen në mbrojtje të procesit të Brukselit, para së gjithash të Asociacionit të komunave serbe, si i vetmi mekanizëm i garantuar për ndërtimin e të drejtave kolektive të popullit serb” në Kosovë.

“Me shkarkimin brutal të (drejtorit të policisë për rajonin e veriut të Kosovës, Nenad) Gjuriqit, si dhe me deklaratën se Prishtina nuk është e interesuar për Asociacionin e komunave serbe, (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti ka sjellë deri në pakuptimësi të plotë procesin e normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin insiston Beogradi”, është thënë në deklaratë.

Plani për targat

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj - në tri faza - për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.

Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.

Afati për riregjistrim fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, mirëpo më pas Qeveria e Kosovës e ka prezantuar planin me tri faza.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG