Ndërlidhjet

Scholz: Me Francën po i shtyjmë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes


Kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të Procesit të Berlinit.

Scholz nuk dha detaje të këtij plani, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar se kanë njohuri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të japë detaje mbi planin franko-gjerman, duke insistuar se “është respekt ndaj ndërmjetësit të ruhet konfidencialiteti i bisedimeve konkrete”.

Por, ai tha se do të pranojë çfarëdo propozimi që bazohet në “vlera evropiane dhe demokratike” dhe që nuk cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Sa i përket marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti insistoi që Kosova do të pranojë një marrëveshje të tillë vetëm nëse përfshihet njohja reciproke mes dy vendeve.

“Është herët të themi tani se çfarë do të përmbajë ajo në fund. Marrëveshja e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë finale, duhet të jetë për normalizimin të plotë, duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

*Video: Bislimi flet për propozimin franko-gjerman

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet ta marrin seriozisht propozimin e Parisit dhe Berlinit, të cilin e vlerësoi si “një mundësi tejet të mirë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin dhe botën” .

Vuçiq, më 8 tetor, tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë - Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Kancelari gjerman, në fjalimin e tij hapës në këtë samit, kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane”, tha Scholz, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

Ekzistimin e propozimit franko-gjerman në tetor e konfirmoi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se e përkrah atë.

“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, tha Escobar.

Faktori ndërkombëtar po inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë bisedimet nën ndërmjetësimin e BE-së, që kanë për synim normalizimin e plotë të raporteve.

Përderisa Kosova synon që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte edhe njohjen reciproke, Serbia kërkon një “zgjidhje kompromisi”, pa saktësuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG