Ndërlidhjet

Raportohet se sasi rekorde e grurit është nisur nga portet ukrainase


Porti në Odesa. Fotografi nga arkivi.
Porti në Odesa. Fotografi nga arkivi.

Një rekord prej 354.500 tonëve të produkteve bujqësore janë nisur nga portet ukrainase më 31 tetor, në kuadër të marrëveshjes për eksportin e tyre nga Deti i Zi, ka thënë një zëdhënës i administratës ushtarake të Odesas.

Sipas tij, ky eksport është realizuar pavarësisht faktit që Rusia është tërhequr nga marrëveshja e nënshkruar për grurin muaj më parë, me arsyetimet se Kievi ka kryer sulmet me dronë në Flotën e Detit të Zi.

Kjo marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë është ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Ukraina ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Rusia e ka planifikuar gjatë këtë largim, derisa Uashingtoni ka thënë se Moska është duke e kthyer ushqimin në armë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë pajtuar me Ukrainën dhe Turqinë për largimin e 16 anijeve nga portet ukrainase.

Inspektimet janë kryer nga pjesëtarë të OKB-së dhe Turqisë.

Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, ka thënë se delegacioni rus është informuar për këto eksporte.

Rusia është tërhequr nga marrëveshja më 29 tetor, duke pretenduar se nuk mund të ofrojë më garanci për anijet civile.

Eksportet e grurit përbëjnë burime të rëndësishme të të ardhurave për Ukrainën, sidomos pas shkatërrimit të ekonomisë së saj prej shpërthimit të luftës.

Një bllokadë eventuale në eksportet ukrainase të grurit do të ndikonte po ashtu në rritje të çmimeve edhe inflacion edhe më të lartë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG