Banorët e qyteteve të ndryshme në Ukrainë janë tmerruar disa herë këtë muaj nga zhurma e dronëve, që ushtria ruse ka nisur drejt zonave të banuara dhe infrastrukturës energjetike. Dhjetëra njerëz janë raportuar të vrarë, përfshirë një grua shtatzënë në Kiev.
Ushtria ruse ka mohuar se ka goditur qëllimisht civilët, duke thënë se cak i saj kanë qenë objektivat ushtarake. Por, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, e ka bërë përgjegjëse direkte Rusinë, duke e quajtur “shtet terrorist”.
“Kemi më shumë se 200 ndërtesa banimi të shkatërruara nga sulmet ruse. Janë vrarë shumë njerëz, civilë, të pafajshëm. Kjo është arsyeja përse këto janë sulme terroriste”, ka thënë Klitschko.
Ka muaj që ushtria ruse ose është bllokuar, ose është tërhequr nga disa zona, për shkak të kundërofensivës së forcave ukrainase. Ka pasur, po ashtu, raportime se ajo ka humbur sasi të mëdha armatimi dhe dhjetëra-mijëra ushtarë.
Për rrjedhojë, Kremlini, i sanksionuar keq edhe nga Perëndimi, duket se është drejtuar për ndihmë nga Lindja. Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për një marrëveshje armatimi midis Rusisë dhe Iranit, të arritur këtë muaj. Me këtë marrëveshje, Rusia siguron dronë dhe raketa precize tokë-tokë nga Republika Islamike.
Ndonëse të dyja vendet kanë mohuar se dronët që janë duke terrorizuar qytetarët ukrainas, janë prodhim iranian, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ushtria e tij ka rrëzuar disa dronë kamikazë, Shahed-136, me prejardhje iraniane.
“Fakti që Rusia ka kërkuar ndihmë nga Irani, është një pranim i Kremlinit se është i falimentuar në aspektin ushtarak dhe politik”, ka thënë Zelensky.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, ka thënë se Rusia jo vetëm që merr dronë nga Irani, por se edhe operatorët e dronëve janë duke u trajnuar atje. Thellimi i aleancës së Rusisë me Iranin duhet parë si kërcënim tejet i madh, ka thënë ai.
“Nga njëra anë keni Rusinë, e cila po merr pjesë në një pushtim barbar, ilegal dhe të padrejtë të një vendi tjetër, dhe nga ana tjetër, keni Iranin, i cili njihet për veprime të dhunshme dhe destabilizuese”, ka thënë Patel.
Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin hapa “agresivë” për t’ia vështirësuar Iranit shitjen e dronëve dhe raketave në Rusi, por nuk ka specifikuar më shumë.
- Eksod nga Hersoni para afrimit të forcave ukrainase
- Si u mposhtën forcat ruse afër Harkivit: Ushtarët ukrainas shpjegojnë taktikat
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca do të ndërhyjë, duke i dërguar Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, të tilla që mund t’iu kundërvihen sulmeve me dronë. “Kjo është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë NATO-ja”, ka thënë Stoltenberg.
Sipas analistëve, shfaqja e dronëve iranianë si armë e Rusisë kundër Ukrainës mund të jetë fillimi i një roli të madh ushtarak të Iranit në këtë luftë.
Eric Lob, studiues në Institutin për Lindjen e Mesme, programi për Iranin, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Republika Islamike ka arsenal enorm të dronëve.
“Irani ka prodhuar seri të ndryshme dronësh. Ai ka punuar në ta që nga lufta me Irakun, në vitet 1980. Pra, ka dhjetëra seri dhe modele, me aftësi të ndryshme. Disa kanë aftësi vëzhgimi, disa kanë aftësi sulmi ose luftarake dhe të tjerët kanë aftësi vetëvrasëse [që do të thotë se vetëshkatërrohen kur godasin në objektivë]. Disa dronë kanë edhe aftësi hibride, pra mund të kryejnë lloje të ndryshme funksionesh: vëzhgim, luftim, vetëvrasje”, thotë Lob.
Dronët iranianë, që janë identifikuar në Ukrainë, njihen edhe si “dronë kamikazë”. Joshua Landis, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme pranë Universitetit të Oklahomës, shpjegon për Exposenë se si funksionojnë ata:
“Ata janë eksplozivë të mëdhenj, me një model të thjeshtë krahësh dhe me një motor të thjeshtë. Bëjnë shumë zhurmë dhe nuk janë të fshehtë. Ata shkojnë shumë ngadalë, por është e vështirë t’u kundërvihesh, sepse fluturojnë shumë afër tokës. Radari shpesh i sheh si kamionë ose pata që fluturojnë. Nuk janë shumë të mëdhenj, ndoshta sa dy herë gjatësia e një njeriu. Por, është e vështirë të dallohen në qiell”.
Landis kujton se Irani dhe Rusia janë përafruar shumë qysh në kohën e luftës në Siri. Atje, thotë ai, dy vendet kanë përdorur taktikën e “tokës së djegur”, që nënkupton shkatërrimin e infrastrukturës. Kjo ka pasur sukses, sepse i ka demoralizuar luftëtarët e opozitës dhe presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka mbetur në pushtet, thotë Landis. Ai shton se taktikë e ngjashme po përdoret edhe në Ukrainë dhe se kjo ka rrezik që ta kthejë rrjedhën e luftës në favor të Rusisë.
“Kemi parë se si dronët iranianë kanë sulmuar centralet e prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë. Rreth një e treta e kapacitetit elektrik të Ukrainës është hedhur në erë, edhe pse një pjesë është rikthyer në funksion. Por, ky duket se është qëllimi kryesor i këtyre dronëve: ta shkatërrojnë infrastrukturën në Ukrainë, në mënyrë që ukrainasit të detyrohen të ikin, sepse do ta kenë shumë më të vështirë të qëndrojnë”, thotë Landis.
Udhëheqësit ukrainas janë duke kërkuar gjithnjë e më shumë ndihmë nga vendet që kanë përvojë në luftimin e dronëve iranianë, të tilla si Izraeli. Yegor Dubynski, nga Ministria e Transformimit Digjital të Ukrainës, i cili është i përfshirë në programet e këtij vendi me dronë, ka thënë se situata kërkon veprim të shpejtë.
“Ne kemi nevojë për këtë përvojë dhe kemi nevojë për këtë ndihmë. Kemi nevojë për të sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse jemi nën sulm. Tani”, ka thënë Dubynski.
Rivalët e Iranit në Lindjen e Mesme: Izraeli, Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë përvojë të gjatë në luftimin e dronëve iranianë - më së voni në luftën e Jemenit.
Këto vende e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por nuk u janë bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, e as dërgimit të armatimit në Ukrainë, për arsye të ndryshme. Dhe kjo qasje nuk duket se do të ndryshojë shpejt.
“Duhet të theksoj se Izraeli qëndron me popullin ukrainas dhe Perëndimin. Do të vazhdojmë politikën e mbështetjes së Ukrainës nëpërmjet ndihmave humanitare”, ka thënë para mediave ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz.
Izraeli ka miratimin e heshtur të Rusisë për të kryer sulme kundër objektivave iraniane në Siri. Por, çfarë përfiton Irani që e ndihmon Rusinë në Ukrainë? Ky vend, në armiqësi afatgjate me Shtetet e Bashkuara, ka vite që është nën sanksione, për shkak të programit të tij bërthamor.
Eric Lob, nga Instituti për Lindjen e Mesme, thotë se aleanca me Rusinë, Iranit i sjell treg dhe prestigj.
“Irani beson se mund të përfitojë nga kjo, [sepse] rrit tregun ndërkombëtar të dronëve ushtarakë. Pastaj, është prestigjioze për të, nëse dëshmon se mund ta ndihmojë një fuqi ndërkombëtare si Rusia, në këtë konflikt kundër Shteteve të Bashkuara”, thotë Lob.
- Dronët iu ndihmojnë mortajistëve ukrainas t’i godasin objektivat ruse
- A do ta sulmojë edhe Bjellorusia Ukrainën?
Nëse vlerësimet e inteligjencës amerikane dalin të sakta, Rusia së shpejti do të rrisë arsenalin e saj edhe me raketat iraniane tokë-tokë Fateh-110. As zyrtarët iranianë, as ata rusë nuk i kanë komentuar këto raporte, por, sipas analistëve, nëse Rusia i siguron këto raketa, Ukraina do ta ketë të vështirë t’u kundërvihet pa një sistem të avancuar antiraketor, të cilin aktualisht nuk e posedon.
Ukraina ka kërkuar vazhdimisht sisteme më të avancuara të mbrojtjes nga Perëndimi. Por, SHBA-ja refuzon të dërgojë sisteme Patriot, duke thënë se forcat amerikane do të duhet të hyjnë në Ukrainë dhe të operojnë me to. Kjo gjë, tash për tash, nuk është opsion për administratën amerikane.
Joshua Landis, nga Universiteti i Oklahomës, shfaq drojën se Perëndimi edhe mund të përçahet në raport me Ukrainën, për shkak të kostos që ka shkaktuar lufta në përditshmëri, sidomos në Evropë.
“Shohim demonstrata në Francë, në Gjermani dhe në Itali së voni, ku njerëzit thonë: ‘nuk duam t’i përkrahim ukrainasit’, ‘pse të brengosemi për ta’, ‘na jepni naftë’, ‘nuk duam inflacion’. Kështu Perëndimi përçahet. Dhe kjo është qartazi ajo që Rusia - e pas saj edhe Kina - do që të jetë rezultati i kësaj lufte. Pra, kjo është një sfidë shumë e madhe për Perëndimin”, thotë Landis.
Inteligjenca ushtarake britanike ka vlerësuar se as Ukraina, as Rusia nuk do të jenë në gjendje të arrijnë ndonjë rezultat vendimtar në fushëbetejë këtë vit. Perëndimi, tash për tash, duket i bashkuar, por në rritje është edhe aleanca rivale lindore. Rusia, prej se ka nisur pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt, ka punuar për forcimin e bashkëpunimit me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, qoftë në aspektin ushtarak, energjetik apo financiar. Edhe disa aleatë të SHBA-së, si Arabia Saudite, kanë vazhduar, po ashtu, të bashkëpunojnë me Rusinë, sidomos në industrinë e naftës.