Ndërlidhjet

Digjet vetura në Leposaviq pas konvertimit të targave


Një zyrtar i Policisë së Kosovës në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë. 1 shtator 2021.
Një zyrtar i Policisë së Kosovës në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë. 1 shtator 2021.

Një veturë në Leposaviq të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) është djegur, thanë nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën veturës.

“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshëm për aktorët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.

Djegia e veturës në fshatin Krajkovë të Leposaviqit të banuar me shumicë serbe, sipas raportit 24-orësh të policisë, ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit.

Ky incident ndodhi disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të veturave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS.

“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është vetura e vetme që është djegur, janë disa vetura që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, komentoi për ngjarjen në Leposaviq, por edhe për siç tha ajo, kërcënimet që serbët në Kosovë po përballen nga "strukturat ilegale".

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.

Edhe në të kaluarën, autoritetet kishin fajësuar strukturat në veriun e banuar me shumicë serbe, për djegien e veturave. Në shtator ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte shkruar në Twitter se “edhe një zyrtar serb i Policisë së Kosovës u sulmua nga strukturat paralele që dogjën veturën e tij me targa legale RKS. Kjo është thirrje e hapur për të luftuar institucionet e Kosovës”.

Më 31 tetor, autoritetet në Kosovë kanë thënë se skadon afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Nga Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - kanë paralajmëruar për bllokim të rrugëve, nëse Kosova konfiskon veturat dhe targat. Qeveria e Kosovës, më herët kishte thënë se pas 31 tetorit, makinat me targa serbe, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG