Ndërlidhjet

Sandu mirëpret sanksionet e SHBA-së kundër ndikimit politik në Moldavi


Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj disa shtetasve të Moldavisë dhe Rusisë lidhur me “korrupsionin sistematik” dhe përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet në Moldavi.

Departamenti amerikan i Thesarit tha më 26 tetor se ka sanksionuar nëntë individë dhe 12 entitete, përfshirë edhe dy oligarkë moldavë të cilët gjerësisht njihen për korrupsion në institucionet politike dhe ekonomike të Moldavisë.

Sanksionet amerikane, po ashtu, kanë shënjestruar persona dhe entitete që kanë vepruar si “instrumente në fushatën e Rusisë për ndikim global”, që sipas SHBA-së, kanë tentuar që ta manipulojnë Uashingtonin dhe aleatët e partnerët e tij, përfshirë Moldavinë dhe Ukrainën.

Në mesin e të sanksionuarve është edhe oligarku dhe ish-ligjvënësi Vladimir Plahotniuc, që SHBA-ja tha se ka kontrolluar dhe manipuluar sektorë kyçë të Qeverisë së Moldavisë.

Plahotniuc, që dikur ka qenë i kryetar i Partisë Demokratike, ka qenë i përfshirë në skandalin për zhdukjen e 1 miliard dollarëve nga bankat moldave më 2014. Sipas SHBA-së, ai e ka mbajtur kontrollin mbi sektorin e sigurisë së vendit për të shënjestruar rivalët politikë dhe biznesorë.

Plahotniuc është larguar nga Moldavia më 2019, por SHBA-ja tha se ai ka përdorur fuqinë e tij në sistemin e drejtësisë për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2018 në Kishinjev. Këtij oligarku dhe familjes së tij u është ndaluar hyrja në SHBA.

Pasaniku tjetër, Ilan Shor, sipas SHBA-së ka punuar me rusët para zgjedhjeve të vitit 2021 në Moldavi, për të krijuar aleanca politike që kishin për qëllim marrjen e kontrollit të Parlamentit moldav që më pas të shtyheshin përpara legjislacione në favor të Rusisë.

“Korrupsioni në shkallë të lartë dhe financimi i paligjshëm i partive politike në Moldavi po sanksionohen. SHBA-ja ka sanksionuar 21 individë dhe entitete të përfshirë në vepra korruptive që seriozisht kanë paragjykuar Moldavinë dhe qytetarët e saj”, shkroi Sandu në Facebook.

Në listën e sanksioneve amerikane është edhe Igor Chayka, që sipas Thesarit amerikan, ka punuar me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, për të zhvilluar plane për të minuar presidenten Maida Sandu, në qëllim që ta kthejnë Moldavinë në sferën e ndikimit rus.

Chayka është djali i Yuriy Chayka, anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, që po ashtu është sanksionuar nga SHBA-ja në muajin prill.

Në sanksionet amerikane përfshihet ngrirja e të gjitha aseteve që individët dhe entitetet kanë në SHBA, dhe po ashtu u ndalohet shtetasve amerikanë që të bëjnë biznes me këto subjekte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG