Ndërlidhjet

Kurti për targat: Marrim seriozisht sugjerimet e aleatëve


Një makinë në Mitrovicë të Veriut me targa KM, që konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.
Një makinë në Mitrovicë të Veriut me targa KM, që konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë, teksa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar që të shtyjë afatin për regjistrimin e targave.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, tha Kurti për gazetarët në Prishtinë, pasi mori pjesë në Samitin për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, Kurti tha se data e fundit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, është 31 tetori.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se është kërkesë edhe e shteteve të QUINT-it që ky afat të shtyhet për 10 muaj.

“Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më 30 shtator, data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetruara, KM, PR e të ngjashme, trashëgimi e Kosovës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime, RKS", tha Kurti për gazetarët pasi mori pjesë në Samitin për Ballkanin Perëndimor, që mbahet në Prishtinë më 25 tetor.

SHBA-ja pret marrëveshje

Këto deklarata të Kurtit erdhën pak orë pasi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, deklaroi se Uashingtoni shpreson që një marrëveshje për targat të arrihet së shpejti.

Ned Price, tha se si i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, janë të angazhuar që Kosova dhe Serbia të zgjidhin mosmarrëveshjet.

"Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun e BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë, me shpresën që ata mund ta zgjidhin këtë çështje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim", tha Price duke u përgjigjur në pyejtjen lidhur me afrimin e përmbylljes së procesit të riregjistrimit të targave.

Zëdhënësi i DASH-it përsëriti se SHBA-ja mbështet dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Mesazhi ynë ka qenë i qëndrueshëm. Ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, i dërguari ynë [për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, vetë sekretari [amerikan i Shtetit, Antony Blinken] ka qenë jashtëzakonisht i angazhuar në këtë çështje. Ai ka biseduar edhe me presidentin serb, [Aleksandar] Vuçiq, edhe me kryeministrin kosovar, [Albin] Kurti, më herët gjatë këtij muaji. Ai theksoi mbështetjen tonë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që lehtësohet nga BE-ja. Ai i inkurajoi palët që të vazhdojnë angazhimin konstruktiv për të siguruar paqe dhe stabilitet në mbarë rajonin”, tha Price.

Vuçiq: Serbët në Kosovë nuk duan ta dëgjojnë Kurtin

Kur ka mbetur edhe më pak se një javë deri në përfundimin e afatit për riregjistrim të targave, interesimi për të bërë një gjë të tillë në mesin e serbëve në Kosovë, duket se është i ulët.

Kurti sërish u ka bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës që të konvertojnë targat nga ato të lëshuara nga Serbia në targat RKS.

Lidhur me këtë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 25 tetor se serbët e Kosovës kanë treguar se "nuk duan të dëgjojnë" kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, apo këdo tjetër.

*Video nga arkivi: "Do t'i parkojmë veturat në oborr"

I pyetur nga gazetarët për skadimin e afatit për riregjistrim, Vuçiq tha se serbët e Kosovës "dëgjojnë vetëm veten dhe ndërgjegjen e tyre" dhe duan që t'u respektohen të drejtat.

Përderisa Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur ende një zgjidhje për targat, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që palët të shmangin tensionet.

Për të ndihmuar që të gjendet një zgjidhje, në Kosovë dhe Serbi, javëve të fundit kanë qëndruar diplomatë të lartë amerikanë dhe evropianë.

Në mesin e tyre ishin i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Escobar, që vizitoi dy shtetet javën e kaluar, deklaroi në Prishtinë se SHBA-ja dhe shtetet e QUINT-it (Mbretëria e Bashkuara, Italia, Franca dhe Gjermania) kanë kërkuar shtyrjen e afatit, por nuk kanë marrë zotim nga krerët institucionalë të Kosovës.

“Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato", tha ai.

Ndërkaq, Lajçak deklaroi më 22 tetor në Prishtinë se "shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, në Kosovë u rritën tensionet, pasi autoritetet në Prishtinë paralajmëruan zbatimin e dy vendimeve, atë për targat dhe për dokumentin për hyrje/dalje. Pakënaqësitë për këto vendime bën që serbët lokalë në veri të bllokonin rrugët.

Por, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, Kosova u pajtua të shtynte zbatimin e vendimeve për një muaj. Ndërkohë, Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshje për dokumentin për hyrje/dalje.

Besohet se në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, qarkullojnë afër 10.000 makina me targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës sikurse PR, PZ, KM e të ngjashme.

Qeveria në Prishtinë ka deklaruar se këto makina nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës pas datës 31 tetor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG