Ndërlidhjet

Osmani: As SHBA-ja, e as BE-ja s'kanë kërkuar që të heqim dorë nga njohja reciproke


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kërkesa që njohja reciproke të jetë pjesë e një marrëveshjeje finale me Serbinë është domosdoshmëri, dhe tërheqjen e kësaj kërkese Kosovës nuk ia kanë kërkuar as Shtetet e Bashkuara dhe as Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, pas takimit me homologun e saj nga Malta, George Vella, Osmani u pyet të komentonte deklaratat e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që Kosova të mbështesë një marrëveshje me Serbinë, që nuk përfshin njohjen reciproke.

Por, Osmani tha se bëhet fjalë për “marrëveshje specifike”, që duket se është referencë një propozim të Francës dhe Gjermanisë për të cilin kanë raportuar mediat.

Siç kanë deklaruar zyrtarët në Serbi, ky propozim franko-gjerman, që thuhet se është dorëzuar liderëve në Prishtinë dhe Beograd, parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Beogradit në bllokun evropian.

“Janë tjetër gjë propozimet për marrëveshje specifike të cilat diskutohen në Bruksel. Siç e dini, ka qenë çështja e energjisë, akoma vazhdojnë diskutimet për fatin e të zhdukurve me dhunë apo edhe tema të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Dhe përpjekjet e partnerëve tanë që të gjitha këto çështje të shtyhen përpara në një mënyrë të intensifikuar", tha Osmani.

"Megjithatë, nuk ka pasur kërkesë, qoftë nga SHBA-ja, qoftë nga partnerët e tjerë brenda BE-së asnjëherë që Kosova të heqë dorë nga kërkesa për njohje reciproke, sepse të gjithë e kuptojnë që ajo është domosdoshmëri që e përmbyllë një kapitull të dhimbshëm të asaj çfarë ka ngjarë në këto dekada në Ballkanin Perëndimor, që kanë qenë luftëra të tmerrshme të iniciuara dhe të kryera nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë”, shtoi ajo.

Ajo shtoi se edhe vetë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kanë kërkuar që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të ketë në qendër njohjen reciproke.

Ndërkaq, Escobar më herët gjatë kësaj jave ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi, për të inkurajuar palët që të intensifikojnë procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe që ka për synim normalizimin e raporteve mes shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan ka folur edhe për propozimin franko-gjerman dhe ka thënë se SHBA-ja e mbështet të njëjtin, duke argumentuar se ky propozim “do ta zhbllokonte Kosovën, por potencialisht edhe Serbinë, në rrugën e integrimeve euroatlantike”.

Më 22 tetor në Prishtinë qëndroi edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ai tha se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është diskutuar edhe për propozimin franko-gjerman, por nuk dha më shumë detaje.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, përderisa Prishtina kërkon që njohja reciproke të jetë pjesë e marrëveshjes finale, Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG