Reuters
Irani ka premtuar se do t’i japë Rusisë raketa tokë-tokë si dhe më shumë dronë, thanë zyrtarët iranianë. Ky vendim ka zemëruar edhe më shumë Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore, që mbështesin Ukrainën në luftën me Rusinë.
Këto armë mund të ndihmojnë Rusinë, e cila po përballet me përpjekje të dështuara të luftës kundër Ukrainës. Por, udhëheqësit klerikë të Iranit po përballen me presion të madh ndërkombëtar lidhur me aleancën e tyre ushtarake me Moskën.
Cilat janë aftësitë e raketave dhe dronëve të Iranit?
Irani ka zhvilluar një industri të madhe vendore të armëve, teksa ishte përballur me sanksione ndërkombëtare dhe embargo që ia pamundësuan importin e armëve. Në ndalesë të importeve u përfshin edhe dronët dhe raketat, që Republika Islamike i sheh si mjete jetike të mbrojtjes ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, që i konsideron armiq të mëdhenj. Këto dy shtete kanë stacionuar ushtarë nëpër baza në rajon.
Edhe pse analistët ushtarakë perëndimorë thanë se nganjëherë Irani ekzagjeron aftësitë e tij, dronët janë një element kyç në vëzhgimet kufitare të Teheranit, veçanërisht të ujërave në Gjirin Persik përreth Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesa e furnizimit me naftë në botë.
Irani dhe fuqitë rajonale që ai mbështet viteve të fundit gjithnjë e më shumë janë varur në dronët në Jemen, Siri dhe Irak, ku Republika Islamike ka përhapur ndikimin e saj përmes forcave që mbështet. Arabia Saudite dhe SHBA-ja kanë thënë se besojnë se Irani qëndron pas sulmeve me dronë ndaj ndërtesave të naftës në Arabinë Saudite. Këto sulme ndodhën më 2019, por Irani ka mohuar se i kryer të njëjtat.
Republika Islamike ka thënë se dronët e saj janë më të fuqishmit në rajon. Përveç se kryejnë vëzhgim, dronët mund të përdoren edhe për të kryer sulme, si për të hedhur municione ose të ashtuquajturit “dronë kamikazë” që fluturojnë në një objektiv dhe hedhin veten në ajër. Dronët kamikazë me rreze të gjatë veprimi, janë projektuar për të goditur caqe deri në Tel Aviv të Izraelit.
Irani ka thënë se raketat e tij balistike, me rreze veprimi deri në 2.000 kilometra, janë forcë e rëndësishme parandaluese dhe për të kryer sulme hakmarrëse ndaj SHBA-së, Izraelit dhe shënjestrave të tjera potenciale në rajon. Teherani, megjithatë mohon se po synon që të prodhojë armë bërthamore.
Programi i armëve të Iranit, që përfshin rreth 1.000 raketa balistike me rreze të mesme veprimi, është një prej programeve më të mëdha të armëve në Lindjen e Mesme.
Shoqata për Kontrollin e Armëve ka thënë se raketat balistike me rreze të shkurtër dhe mesme veprime të Iranit, përfshirë edhe raketat Shahab-1, që vlerësohet se ka një rreze veprimi prej 300 kilometrash, Zolfaghar (700 kilometra) dhe Shahab-3 (800- 1.000 kilometra). Sipas kësaj shoqate, raketa Emad-1, që është ende duke u zhvilluar, vlerësohet se është projektuar të ketë një rreze veprimi deri në 2.000 kilometra, ndërkaq raketa tjetër që është po ashtu nën zhvillim, Sejiil, vlerësohet se do të ketë një rreze veprimi nga 1.500 deri në 2.000 kilometra.
Irani po ashtu ka raketa lundruese sikurse Kh-55, armë ajrore me aftësi bërthamore me rreze veprimi deri në 3.000 kilometra, dhe raketa për të sulmuar anije, që mund të mbajë kokë bërthamore deri në 1.000 kilogramë.
SHBA-ja ka shprehur frikën se teknologjia e raketave me rreze të gjatë veprimi, që përdoret për të dërguar satelitë në orbitë mund të përdoret po ashtu për të lëshuar koka bërthamore. Teherani mohon se ka plane të tilla.
Pse Irani ka ndërtuar aftësi për raketat dhe dronët e tij?
Me forcat amerikane të stacionuara në bazat në rajon dhe me superioritetin e ushtrisë izraelite, Irani ka rritur përpjekjet për të krijuar raketa dhe dronë dhe për të furnizuar grupet që mbështet, pavarësisht se sanksionet e SHBA-së kanë goditur rëndë ekonominë e Teheranit.
Forca ajrore e Iranit është e dobët. Shumica e avionëve të Teheranit janë shumë të vjetër dhe për shkak të vjetërsisë, mirëmbajtja e tyre është e vështirë. Prodhimi i dronëve dhe raketave është parë si mënyrë më e lirë për ushtrinë iraniane që të mbrojë shtetin.
Pajisjet ushtarake iraniane në Siri dhe Jemen janë përmirësuar në dekadën e fundit. Rebelët Huthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, në mënyrë të ndjeshme kanë rritur sulmet e tyre me dronë, duke bombarduar aeroporte dhe ndërtesa të naftës në Arabinë Saudite, që është një prej rivaleve kryesore të Iranit.
Pse Irani po e furnizon Rusinë?
Liderët klerikë të Republikës Islamike janë të etur që të forcojnë raportet strategjike me Rusinë kundër një blloku që po krijohet në Gjirin Persik nga Izraeli dhe arabët, e që po mbështetet nga SHBA-ja. Ky bllok mund të ndryshojë balancat e fuqisë në rajon.
I inkurajuar nga çmimet e larta të naftës që nga nisja e luftës në Ukrainë, Irani po kalkulon se me mbështetjen ndaj Rusisë mund t’i bëjë presion Uashingtonit që të ofrojë koncesione për të ringjallur marrëveshjen bërthamore që Teherani dhe fuqitë botërore arritën më 2015.
Krijimi i një aleance të vërtetë me një superfuqi që ndan pikëpamje anti-perëndimore dhe nuk ka frikë që këto pikëpamje t’i shtyjë drejt fushëbetejës, është një lëvizje strategjike që është e dizajnuar të tregojë se Irani nuk është i izoluar.
Çfarë armësh iraniane ka përdorur Rusia në Ukrainë?
Më 17 tetor, Rusia lëshoi dhjetëra “dronë kamikazë” në Ukrainë, duke goditur infrastrukturën e energjisë dhe duke vrarë pesë persona në Kiev. Ukrainasit ua kanë vënë nofkën “motoçikleta” këtyre dronëve për shkak të zhurmës së madhe që shkaktojnë motorët e tyre kur dronët fluturojnë.
Ukraina ka thënë se dronët që po përdoren janë dronë iranianë të llojit Shahed-136, të cilët janë të mbushur me municion dhe lëshohen me shpejtësi drejt shënjestrave dhe shpërthejnë kur e godasin cakun. Kievi ka paralajmëruar shkëputjen e raporteve me Iranin për shkak të përdorimit të dronëve iranianë nga Rusia.
A mund Irani të përballet me më shumë sanksione?
Fuqitë perëndimore pritet të vendosin më shumë sanksione ndaj Iranit. Qeveritë e shteteve të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të vendosin sanksione ndaj tetë individëve dhe entiteteve për përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani gjatë sulmeve ruse në Ukrainë, kanë thënë tri diplomatë të BE-së.
Megjithatë, Republika Islamike është mësuar se si të mbijetojë për dekada nën sanksione dhe ka kontroll të fortë ndaj zinxhirëve të saj të furnizimit.