Ndërlidhjet

Irani refuzon thirrjet për hetim mbi përdorimin e dronëve në Ukrainë


Një dron duke kryer sulm në Kiev të Ukrainës më 17 tetor 2022.
Një dron duke kryer sulm në Kiev të Ukrainës më 17 tetor 2022.

Irani ka kritikuar thirrjet e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë që Kombet e Bashkuara të hetojnë akuzat se Rusia ka përdorur dronë të prodhimit iranianë për të sulmuar Ukrainën.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, tha se nisma e prezantuar më 21 tetor nga ky grup shtetesh, ishte një nismë “e rreme dhe pa bazë”, duke shtuar se “ne fuqishëm e refuzojmë dhe e dënojmë” këtë kërkesë.

Ukraina ka thënë se Rusia ka sulmuar infrastrukturën e saj duke përdorur dronët iranianë Shahed-136. Këta lloj dronësh fluturojnë drejt objektivit dhe shpërthejnë gjatë përplasjes me cakun.

Si Irani, ashtu edhe Rusia, kanë mohuar këto akuza.

“Qeveria e Republikës Islamike të Iranit, në ndjekjen e saj për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të drejtat e popullit iranian, mban të drejtën për t’u përgjigjur ndaj çdo veprimi të papërgjegjshëm”, citohet të ketë thënë Kanaani.

“Irani nuk do të hezitojë që të mbrojë interesat e tij dhe të popullit iranian”, ka thënë ai, pa specifikuar se çfarë veprimesh mund të marrë Republika Islamike.

Në një letër të dërguar nga përfaqësuesit e tyre në OKB – të cilën e ka parë Reuters – Franca, Gjermania dhe Britania kanë mbështetur thirrjen e Ukrainës që OKB-ja të hetojë përdorimin e dronëve iranianë në Ukrainë. Këto tri shtete kanë argumentuar se përdorimi i dronëve iranianë shkel rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG