Ndërlidhjet

Weber: Dialogu po i kthehet thelbit, por marrëveshja finale është larg


Bodo Weber, ekspert për Ballkanin.
Bodo Weber, ekspert për Ballkanin.

Perëndimi po mundohet të kthejë fokusin e dialogut Kosovë-Serbi drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, por kjo marrëveshje nuk mund të pritet në një kohë të afërt.

Kështu ka vlerësuar Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Ai i ka bërë këto komente për Radion Evropa e Lirë më 19 tetor, ditën kur i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Vizita e Escobarit në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania besohet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Weber e ka komentuar për REL-in edhe këtë temë:

“Asnjëri nga ne nuk e ka parë propozimin, apo çfarë përmban. Ka shumë dezinformata (lidhur me të)”.

Weber, megjithatë, ka thënë se nuk ka dyshim që “ka një përpjekje nga këto dy shtete lidere në BE (Franca dhe Gjermania), me mbështetje të SHBA-së”, për t'i dhënë një drejtim dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, këto përpjekje vijnë pasi, së fundmi, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë janë udhëhequr kryesisht nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, “dhe janë fokusuar kryesisht në çështje bilaterale”.

“Kjo, siç duket, po ndryshon pjesërisht, të paktën me këtë iniciativë franko-gjermane, që do të thotë se dialogu po kthehet në thelbin e tij”, ka thënë Weber.

Megjithatë, sipas tij, nuk mund të mendohet se Kosova dhe Serbia janë afër një marrëveshjeje finale.

“Unë mendoj se ajo që momentalisht po diskutohet, ka të bëjë me çështje madhore, por nuk duket se ka ndonjë propozim apo plan të shkruar, e lëre më marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk mendoj se këto bisedime janë as afër kësaj”, është shprehur Weber.

Ai ka vlerësuar se afrimi i një marrëveshjeje finale të shkruar do të sinjalizohej vetëm me një diskutim të nivelit shumë më të lartë, përkatësisht në mes të presidentit amerikan, Joe Biden, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Çfarë thanë liderët?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Kosova ka qenë dhe është palë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe se ka gatishmëri që të rrisë angazhimin, me qëllim të intensifikimit të procesit.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër.

Ata i kanë bërë këto deklarata pas takimeve që kanë zhvilluar ndaras në Prishtinë me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

"Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që i japim, Republika e Kosovës ka treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për të arritur marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër", ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu më 19 tetor ka ftuar në takim liderët e partive opozitare. Takimi është paraparë të mbahet të premten në mesditë.

Escobar, në anën tjetër, ka thënë se SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës në këtë drejtim.

“Jam krenar që them që Kosova ka kontribuar shumë për agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm se si po kontribuon Kosova, në mënyrë pozitive, në agjendën e përbashkët për demokraci dhe liri", ka thën Escobar.

Më 22-23 tetor, Prishtina do të jetë nikoqire e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të njohur si Forumi WPS.

Ky forum organizohet nga Presidenca e Kosovës, në bashkëpunim me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Sipas njoftimit, forumi pritet të mbledhë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Ndërkaq, më 20 tetor, Escobar, pritet të takohet me kryeministren dhe presidentin e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe Aleksandar Vuçiq.

"Serbia mbështet strukturat ilegale"

Pas takimit me Escobarin, presidentja Osmani ka përmendur pakënaqësitë e Kosovës kundrejt palës serbe.

“Shfrytëzova rastin për të shprehur pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale, të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë edhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”.

Sipas saj, përveç refuzimit, Serbia vazhdon “t’i mbështesë ato financiarisht”.

Sipas autoriteteve në Kosovë, Millan Radoiçiq, është një prej krerëve të strukturave ilegale në veri të Kosovës.

Ai aktualisht është në arrati.

Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, parti kryesore e serbëve në Kosovë.

Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se, së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Vizitat e fundit të Escobarit në Prishtinë

Për herë të fundit, Escobar ka vizituar Kosovën më 24 gusht, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Atëbotë, Escobar pas takimeve me krerët shtetërorë – por edhe me liderët e partive opozitare – porositi që Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës, pak ditë para se të niste së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Po ashtu, ai pati thënë se pret propozime konkrete nga Prishtina dhe Beogradi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Kosova, më 1 shtator, ka hapur afatin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Qytetarët do të kenë kohë deri në fund të tetorit që të konvertojnë targat serbe –me akronime serbe për qytete të Kosovës sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – në targat RKS – Republika e Kosovës.

Pavarësisht se fushata për riregjistrim po vazhdon, deri më tani është parë një interesim i ulët i qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës, për t’i konvertuar targat e makinave të tyre në RKS.

Një zgjidhje urgjente për targat ka kërkuar edhe Lajçak gjatë takimit që ka zhvilluar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 17 tetor.

Ai ka thënë se çështja e targave, dhe ajo e energjisë, kanë qenë lart në agjendën e bisedimeve. Për targat, normalizimin e raporteve dhe çështjen e energjisë, Lajçak ka biseduar javën e kaluar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Dialogu për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi.

Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi mund të bëhet fjalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG