Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është e rëndësishme që shtetet e Bashkimit Evropian të respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian, sa i përket liberalizimit të vizave, dhe "të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë".
Këto komente Osmani i bëri gjatë takimeve që zhvilloi sot me ambasadorët e akredituar në Prishtinë nga Gjermania, Italia dhe Sllovenia, të cilëve u kërkoi përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave.
Sipas një njoftimi për media nga Presidenca e Kosovës, Osmani tha se vendosja e kritereve shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën “do të ndikonte në mohimin e një të drejte të qytetarëve tanë dhe do ta lëndonte kredibilitetin e BE-së”.
Osmani ka biseduar me ambasadorët e këtyre tri shteteve për zhvillimet politike që kanë dalë pas takimit të 13 shtatorit të grupit punues për vizat të Këshillit Evropian.
Në këtë takim, besohet se zyrtarët francezë kanë kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me sistemin ETIAS. Kjo gjë është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Pas takimit të 13 tetorit, Presidenca çeke ka thënë se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.
Takimi i radhës i grupit punues për vizat i Këshillit të BE-së është paraparë të mbahet në nëntor.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën në vitin 2018.
Ndryshe, ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem – që është krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.
ETIAS është kërkuar që të funksionalizohet pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë në Evropë.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 - pa ndonjë datë të saktë.