Thijs Reuten, eurodeputet nga Holanda, i ka reaguar shtetit prej nga vjen, dhe shteteve të tjera, për përmendjen e kushteve të reja për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një postim në Twitter, Reuten ka reaguar për lidhjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me funksionalizimin e sistemit ETIAS.
Ai ka thënë se ky është vetëm një arsyetim për shtyrjen e liberalizimit për Kosovën, e cila “i ka plotësuar të gjitha kushtet, pas vitit 2018”.
“Thellësisht i turpëruar nga Qeveria e Holandës dhe katër (qeveri të tjera). Pasi Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat në vitin 2018, si dhe pas një raporti shtesë jashtëzakonisht pozitiv, me kërkesë të Holandës, ata gjetën një arsyetim të ri për ta shtyrë udhëtimin pa viza për Kosovën”, ka thënë Reuten.
Në një tjetër postim ai ka thënë se “Franca po i tregon sërish qëllimet e vërteta kur është puna te mbajtja e premtimeve dhe loja sipas rregullave”.
“Rreth 1 milion qytetarët e fundit të mbetur në rajonin e Ballkanit Perëndimor pa udhëtim të lirë pa viza, po përdoren për politika të brendshme, me mbështetje edhe të Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës", ka thënë mes tjerash ai.
Reuten është eurodeputet që vjen nga Partia e Punës, parti opozitare në Holandë.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, zyrtarët francezë kanë propozuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Kjo ide e Francës është mbështetur edhe nga Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.
Edhe Qeveria e Kosovës, përkatësisht zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka thënë për një televizion lokal në Kosovë se në takimin në BE janë dhënë kushte të reja për liberalizimin e vizave.
Deputetë të opozitës, në anën tjetër, kanë thënë se shtyrja e vazhdueshme e liberalizimit të vizave është e padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.
Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Ky sistem mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – por nuk dihet data e saktë.