Ndërlidhjet

AI: Të paktën 23 fëmijë të vrarë gjatë protestave në Iran


Në mbarë botën janë mbajtur protesta në solidarizim me gratë në Iran.
Në mbarë botën janë mbajtur protesta në solidarizim me gratë në Iran.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), tha se të paktën 23 fëmijë janë në mesin e qindra personave të vrarë në Iran gjatë protestave masive.

Protestat masive shpërthyen muajin e kaluar, pas vdekjes së një gruaje të re në paraburgim, e cila ishte ndaluar nga policia e moralit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

“Vrasja e paligjshme e të paktën 23 fëmijëve nga forcat e sigurisë së Iranit hedh më shumë dritë mbi vendosmërinë e autoriteteve për të shtypur pakënaqësitë, protestat që po vazhdojnë, që u nxitën nga vdekja në paraburgim e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator. Këto protesta më pas u rritën në atë që shumë në Iran thonë se është një kryengritje më e gjerë ndaj udhëheqjes së Republikës Islamike”, tha AI në një deklaratë të publikuar më 14 tetor.

Njëzetetre fëmijët janë në mesin e të paktën 201 personave që vlerësohet që janë vrarë në protestat mbarëkombëtare që janë mbajtur qëkur Amini vdiq.

Amnesty po ashtu publikoi emrat dhe rrethanat e vrasjes së 23 fëmijëve gjatë dhjetë ditë protestash muajin e kaluar. Kjo organizatë tha se në mesin e fëmijëve të vrarë janë 20 djem nga mosha 11 deri 17 vjeç dhe tri vajza, dy prej të cilave ishin 16 vjeçe dhe një 17-vjeçare.

Shumica e të vrarëve u qëlluan nga forcat e sigurisë, ndërkaq katër prej tyre – tri vajza dhe një djalë – u rrahën për vdekje.

Dhjetë nga viktimat i përkisnin minoritetit baluçi dhe ata, sipas AI, u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë më 30 shtator, që vlerësohet se ka qenë dita më vdekjeprurëse e protestave në Zahedan, në provincën Sistan dhe Baluçistan.

“Forcat e sigurisë së Iranit kanë vrarë të paktën dhjetëra fëmijë në përpjekje për të shtypur shpirtin e rezistencës në mesin e të rinjve të guximshëm të vendit”, tha Heba Morayef nga Amnesty International.

“Shtetet anëtare në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara duhet që urgjentisht të mbajnë një takim të posaçëm për miratimin e një rezolute për hetim të pavarur ndërkombëtar dhe për të ngritur mekanizma për llogaridhënie në Iran”, tha Morayef.

Agjencia për fëmijë e OKB-së, UNICEF, tha më 10 tetor se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” lidhur me raportimet se “fëmijët dhe adoleshentët po vriten, plagosen dhe arrestohen” në Iran.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG