Ndërlidhjet

Pse raketat e Rusisë në Ukrainë kanë ndikim të kufizuar?


Një makinë në flakë si pasojë e sulmit me raketa të Rusisë në Ukrainë më 10 tetor 2022.
Një makinë në flakë si pasojë e sulmit me raketa të Rusisë në Ukrainë më 10 tetor 2022.

Reuters

Sulmet më të mëdha ajrore të Rusisë kundër Ukrainës - prej nisjes së luftës - kanë lënë të vdekur të paktën 19 persona më 10 tetor, dhe kanë kthyer mijëra ukrainas nëpër bodrume dhe streha të sigurta.

Sulmet, po ashtu, kanë lënë pa rrymë qindra qyteza dhe fshatra.

Sulmet – të cilat Perëndimi i ka konsideruar si të qëllimshme ndaj civilëve – janë përshëndetur nga besnikët e Moskës dhe janë konsideruar si pikë kthese e madje demonstrim i vendosmërisë së Rusisë në atë që Kremlini e konsideron “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.

*Video: Sulmet ruse në Ukrainë

Mirëpo analistët ushtarakë të Perëndimit kanë thënë se sulmet kanë pasur koston e vet, sepse kanë pakësuar numrin e raketave ruse me rreze të gjatë, nuk kanë goditur asnjë shënjestër ushtarake dhe nuk kanë ndryshuar rrjedhën e luftës që po zhvillohet keq për Moskën.

“Rusisë i mungojnë raketat për të kryer shpesh sulme të llojit të tillë, dhe janë duke iu harxhuar rezervat derisa, në anën tjetër, ukrainasit janë duke pretenduar sukses të madh në shkatërrimin e disa raketave sa kanë qenë ende në ajër”, ka shkruar Lawrence Freedman, profesor për studime të luftës në Kolegjin King të Londrës.

“Prandaj, kjo nuk është strategji e re për të fituar luftën, por zemërim i një sociopati”.

Si po përshkruhen sulmet në Rusi?

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka përshkruar sulmet si përgjigje ndaj atyre që i ka konsideruar sulme terroriste nga Ukraina, duke përfshirë aty shpërthimin e 8 tetorit në Urën e Krimesë – të vetmen që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

*Video: Shpërthimi në Urën e Krimesë

Moska e ka aneksuar këtë Gadishull më 2014 dhe ndërkohë e ka ndërtuar urën.

Besnikët e Moskës i kanë kërkuar me javë të tëra presidentit rus, Vladimir Putin, që të përshkallëzojë konfliktin dhe shumë të tjerë i kanë përshëndetur sulmet e 10 tetorit.

Ramzan Kadyrov, besniku i Putinit, njëherësh lider i rajonit rus të Çeçenisë, ka thënë se është 100 për qind mbrapa strategjisë.

Ai madje ka bërë thirrje së fundi që disa komandantë ushtarakë të shkarkohen.

Margarita Simonyan, udhëheqëse e kanalit televiziv shtetëror rus, RT, ka thënë se Moska ka qenë duke e pritur kohën perfekte për të demonstruar fuqinë e saj.

Duke cituar një proverb, ajo ka thënë se “një rus i përgatit kuajt e tij ngadalë, por i drejton ata shpejt”.

Dmitry Medvedev, zëvendës-udhëheqës i Këshillit të Putinit për Siguri, ka thënë se Rusia tani do të mund të zgjerojë objektivat e saj.

“Synimi i veprimeve tona në të ardhmen, sipas meje, duhet të jetë shpërbërja e regjimit politik të Ukrainës”.

A mund të përsërisë Rusia këto veprime?

Ukraina ka thënë se Rusia ka lëshuar të hënën 83 raketa lundruese, po ia ka rrëzuar të paktën 43 prej tyre.

Moska ka thënë se ka nisur më shumë se 70 raketa dhe të gjitha shënjestrat janë goditur.

Të dyja palët kanë thënë se sulmi ka qenë i shkallës së gjerë, dhe i paparë prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.

Secila raketë, Kalibr vlerësohet se kushton më shumë se 6.5 milionë dollarë, çka nënkupton se Moska ka nisur në ajër raketa në vlerë të gati gjysmë miliardi dollarëve brenda një dite.

Analistët perëndimorë nuk kanë të dhëna të sakta sa raketa i kanë mbetur Rusisë, mirëpo sugjerojnë se sasitë janë të kufizuara.

Në korrik të këtij viti, Joseph Dempsey dhe Douglas Barrie nga Insituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, kanë thënë se Rusia është duke rritur numrin e raketave të nisura nga toka për të goditur shënjestrat e saj.

Kjo gjë “sugjeron se Moska duhet të grumbullojë me kujdes numrin e raketave lundruese që i kanë mbetur dhe t’i menaxhojë ato, po ashtu, me kujdes”, kanë shkruar ata.

A mund ta mbrojë Ukraina veten?

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sigurimi i mbrojtjes ajrore përbën prioritetin e parë për Ukrainën.

Liderët perëndimorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden kanë premtuar më shumë sisteme, ndonëse dorëzimi i tyre merr kohë.

Ukraina tani varet nga sistemet për mbrojtje ajrore të periudhës sovjetike, sikurse S-300.

Uashingtoni ka premtuar muaj më parë se do të dërgojë në Ukrainë sistemin e sofistikuar NASAMS, mirëpo në shtator ka thënë se dorëzimi do të vonohet edhe për të paktën dy muaj.

Në praktikë, ekspertët ushtarakë kanë thënë se Ukraina mund të mos mbrojë kurrë gjithë territorin tokësor nga sulmet që kanë shënjestra me prioritet të ulët.

Ukraina është shteti i dytë më i madh në Evropë, pas Rusisë.

Sistemet ajrore, sikurse sistemet raketore amerikane Patriot, janë të dizajnuara për të mbrojtur shënjestrat specifike dhe me prioritet të lartë.

Sisteme tjera mund të ofrojnë mbrojtje më të gjerë, mirëpo në zona më të vogla, siç janë sistemet izraelite “Kupola e hekurt", të cilat mbrojnë një shtet që mund të jetë 20 herë më i vogël sesa Ukraina.

“Kjo do të thotë se ashtu siç ka qenë e vështirë që të ndalim Saddamin nga lansimi i SCUD, dhe pavarësisht sa duam t’i ndihmojmë Ukrainës, parandalimi total i krimeve të luftës së Putinit, mbetet sfidë dhe fatkeqësisht aty përfshihen edhe sulmet me raketa ndaj civilëve”, ka thënë Mark Hertling, ish-komandant i forcave tokësore amerikane në Evropë.

Megjithatë, sulmet e 10 tetorit tregojnë se Ukraina është larg të qenit e pambrojtur.

Ndonëse pretendimet e Kievit se ka rrëzuar më shumë se gjysmën e raketave, nuk mund të verifikohen plotësisht, Rusia nuk ka goditur shënjestrat me peshën më të madhe, sikurse ndërtesat e udhëheqësisë në kryeqytet, të cilat ka mundësi të jenë të mbrojtura.

Çka tash?

Rusia ende përballet me problemet e njëjta strategjike që ka pasur para sulmeve të 10 tetorit: forcat ushtarake të demoralizuara dhe të armatosura keq, të ndara nëpër territore të mëdha në vijën e frontit.

Furnizimet po ashtu janë të cenueshme ndaj sulmeve ukrainase.

Avantazhi fillestar i Rusisë, mbi të gjitha fuqia e artilerisë së saj, ia ka mundësuar shkatërrimin dhe pushtimin e qyteteve ukrainase në periudhën maj-korrik.

Mirëpo prej muajit shtator, forcat e pajisura me artileri nuk janë treguar të mira për mbrojtje të territorit të pushtuar nga njësitet ukrainase që sa shkojnë e pajisen më mirë.

Moska nuk e ka nën kontroll hapësirën ajrore të Ukrainës, diçka që do t’ia mundësonte sulmet intensive me aeroplanë dhe helikopterë.

Sulme të tilla ia kanë mundësuar mposhtjen e rebelëve në Siri dhe Çeçeni.

Ben Hodges, një tjetër ish-komandant për forcat tokësore amerikane në Evropë, ka thënë se pavarësisht sulmeve të 10 tetorit, Ukraina ende duket se ka “momentum të pakthyeshëm” në fushëbetejë.

“Sistemi rus i logjistikës është i dërrmuar dhe asnjë rus nuk dëshiron të përfshihet në luftën e Putinit në Ukrainë”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG