Ndërlidhjet

Musk ofron propozimin e tij për tensionet Tajvan-Kinë


Miliarderi, Elon Musk.
Miliarderi, Elon Musk.

Miliarderi, Elon Musk, ka sugjeruar se tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit mund të zgjidhen nëse Pekini fiton një lloj kontrolli mbi Tajvanin.

Ai i ka bërë këto komente disa ditë pasi ka prezantuar në Twitter idenë e tij për dhënie fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Rekomandimi im do të ishte që të krijohej një zonë e posaçme administrative për Tajvanin, diçka shumë e pëlqyeshme, por që nuk do të bënte të gjithë të lumtur”, ka thënë njeriu më i pasur në botë, gjatë një interviste për Financial Times.

Musk ka qenë duke u përgjigjur në një pyetje për Kinën, ku kompania e tij Tesla e ka një fabrikë të madhe në qytetin e Shangait.

Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e tij dhe do ta fitojë kontrollin e këtij territori, qoftë edhe përmes forcës.

Qeveria e Tajvanit kundërshton ashpër pretendimet e Kinës dhe beson se ky ishull me 23 milionë banorë duhet të vendosë vetë për të ardhmen që dëshiron ta ketë.

“Është e mundshme, besoj që po, ata mund të arrijnë marrëveshje që është e përshtatshme sesa ajo e Hong Kongut”, është cituar të ketë thënë Musk.

Kina i ka ofruar Tajvanit organizimin “një shtet, dy sisteme”, pasi këtë model e përdor për Hong Kongun, mirëpo diçka e tillë nuk është miratuar.

Ministria e Jashtme e Tajvanit nuk i ka komentuar deklaratat e Muskut.

Një zyrtar tajvanez i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se “Musk duhet të gjejë një këshilltar politik me vizion të qartë”.

Kur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, është pyetur për komentet e Muskut, ajo ka thënë se Tajvani është “çështje e brendshme” dhe se Pekini do të vazhdojë të punojë në parimin e ribashkimit paqësor, teksa “shkatërron” separatizmin tajvanez.

Raportet mes Kinës dhe Tajvanit

  • Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur.
  • Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
  • Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.

Propozimi për paqe në Ukrainë

Më herët gjatë kësaj jave, Musk ka propozuar që Ukraina të heqë dorë përjetësisht nga Gadishulli ukrainas i Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.

Ai po ashtu ka propozuar që të mbahen referendume të mbikëqyrura nga Kombet e Bashkuara në disa rajone ukrainase, që tani kontrollohen nga forcat ushtarake ruse, ashtu që banorët të vendosin për të ardhmen e tyre.

Në mesin e propozimeve të tij ka qenë edhe ai që Ukraina të pajtohet për neutralitet.

Ky i ashtuquajtur plan për paqe është kritikuar ashpër nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i cili i është kundërpërgjigjur me një anketë tjetër.

“Cilin Elon Musk e pëlqeni më shumë? Atë që mbështet Ukrainën, apo atë që mbështet Rusinë?”

Në fund të muajit shkurt, Ukraina është përballur me probleme në internet, pas nisjes së luftës së Rusisë në këtë shtet.

Musk, atëbotë, është përgjigjur në një kërkesë të Qeverisë ukrainase që pati kërkuar ndihmë.

Musk pati thënë se shërbimet satelitore të kompanisë së tij, SpaceX, do të jenë të qasshme në Ukrainë dhe se kompania e tij do të dërgonte më shumë terminale në këtë shtet.

“Kostoja e SpaceX për shërbimet satelitore të ofruara në Ukrainë shkon në 80 milionë dollarë deri më tani. Mbështetja për Rusinë është zero dollarë. Qartazi, ne jemi pro Ukrainës”, ka thënë ndërkohë Musk në Twitter.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG