Ndërlidhjet

Irani: Vdekja e Aminit, rezultat i sëmundjes


Një protestuese në Gjermani duke mbajtur portretin e Mahsa Aminit.
Një protestuese në Gjermani duke mbajtur portretin e Mahsa Aminit.

Një raport i forenzikës i publikuar nga autoritetet iraniane tha se vdekja e Mahsa Aminit nuk u shkaktua nga goditjet në kokë dhe gjymtyrë, por ishte e lidhur me një sëmundje. Këto gjetje janë kundërshtuar nga familja e 22-vjeçares, që thanë se ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore para se të dërgohej në paraburgim për shkeljen e rregullave të hixhabit.

Agjencia shtetërore e lajmeve, ISNA, tha më 7 shtator se Organizata Shëndetësore e Forenzikës ka përcaktuar se “një sëmundje” ishte shkaktare e vdekjes së Aminit, por nuk është përmendur nëse ajo kishte pësuar ndonjë lëndim. Sipas televizionit shtetëror iranian, në raportin e forenzikës thuhet se vdekja e Aminit ishte e lidhur me “një ndërhyrje kirurgjike për tumor në tru, kur ajo ishte tetëvjeçare”.

Amini ishte arrestuar më 13 shtator nga policia e moralit të Iranit dhe vdiq tri ditë më pas.

Dëshmitarët kanë thënë se Amini ishte rrahur gjatë arrestimit, ndërkaq babai i saj ka deklaruar se ajo kishte pasur shenja të dhunës në këmbët e saj, duke mbajtur përgjegjës policinë për vdekjen e së bijës. Vdekja e Aminit ka nxitur një valë protestash në mbarë Iranin, lidhur me trajtimin e grave dhe kushteve të rënda të jetesës në përgjithësi.

Ndërkaq, nëna e një 16-vjeçarje që u vra gjatë protestave për Aminin, ka hedhur poshtë pretendimet zyrtare se vajza e saj ra nga një ndërtesë, duke thënë se e bija kishte pësuar goditje në kokë.

Nasreem Shakrami tha për Radion Evropa e Lirë se është nën presion nga autoritetet që të ndjekë narrativin e Qeverisë – që vajza e saj ra nga një ndërtesë – sa i përket arsyes së vdekjes së vajzës së saj.

Shakrami tha se autoritetet mbajtën sekret vdekjen e vajzës së saj, Nikas, për nëntë ditë dhe më pas ata nxorën fshehurazi trupin e pajetë të saj nga morgu për ta varrosur në një zonë të largët, pa pëlqimin e familjes.

Sipas saj, në raportin e forenzikës thuhej se disa nga dhëmbët e Nikas dhe disa eshtra në fytyrë ishin të thyera dhe kishte fraktura në kafkë. Kjo bëri që nëna e saj të dyshojë se Nika ishte rrahur.

“Të gjitha dëmtimet i kishte në kokë”, tha ajo.

Të paktën 154 persona, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë gjatë 18 ditë protesta, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, teksa Qeveria iraniane ka paralajmëruar për shtypje më të ashpër të protestave, nëse ato vazhdojnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG