Ndërlidhjet

Në moshën 70-vjeçare, a është ende Putini i pazëvendësueshëm për popullin rus?


Pas gati 23 vjetësh në krye të Rusisë, a ka filluar të lëkundet mbështetja publike për Vladimir Putin? Fotografi nga arkivi
Pas gati 23 vjetësh në krye të Rusisë, a ka filluar të lëkundet mbështetja publike për Vladimir Putin? Fotografi nga arkivi

Presidenti rus, Vladimir Putin, feston më 7 tetor ditëlindjen e tij të 70-të. Ky përvjetor shënohet në një kohë kur lideri gjithnjë e më autoritar i Rusisë po përballet me disa nga sfidat më të vështira të dy dekadave të tij në pushtet, teksa të gjitha arritjet e tij janë vënë në diskutim për shkak të një lufte gjithnjë e më të kushtueshme ndaj Ukrainës fqinje.

Me gjithë goditjet e njëpasnjëshme ndaj kundërshtarëve politikë, çka ka sjellë dhe largimin nga vendi të shumicës së figurave aktive të opozitës, ka shenja se koha e mbështetjes së gjerë ndaj Putinit mund të jetë drejt fundit. Kjo pasi lufta në Ukrainë vazhdon të ekspozojë dobësitë në sistemin politik mjaft të personalizuar, që Putini e ka perfeksionuar në 23 vjet si president apo kryeministër i Rusisë.

"Me sa kuptoj situata, ka ndryshuar rrënjësisht", tha Lev Gudkov, një sociolog në agjencinë e pavarur të sondazheve “Levada Center”, duke lënë të kuptohet se mobilizimi ushtarak që Putin dekretoi më 21 shtator mund të ketë ndryshuar, në mënyrë vendimtare dhe të pakthyeshme, atmosferën në vend.

Putini ndodhet në një situatë të vështirë që nga 24 shkurti".
Dimitri Gudkov

"Mobilizimi po i prek të gjithë... Urdhri i mobilizimit ka ndryshuar rrënjësisht situatën - lufta ka mbërritur në Rusi", tha ai.

Pushtimi i Ukrainës u ndesh me atë që për shumë ishte një rezistencë e fortë dhe e papritur nga Qeveria dhe populli ukrainas, siç u dëshmua edhe muajin e kaluar kur një kundërofensivë e rrufeshme ukrainase në rajonin e Harkivit i detyroi forcat ruse të tërhiqeshin dhe e shtyu Putinin që të shpallte një mobilizim pas muajsh që mohonte se do ta merrte ndonjëherë këtë vendim.

Lufta e paprovokuar e Kremlinit ka shkaktuar gjithashtu një reagim të ashpër nga Perëndimi, i cili ka vendosur valë pas vale sanksionesh kundër Rusisë dhe ka ofruar miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Suedia dhe Finlanda, pas dekadash neutraliteti, aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në aleancën transatlantike, NATO.

*Video nga arkivi: Rusët aterojnë në Beograd pas vendimit për mobilizim


Rrallë herë Rusia, për të mos thënë asnjëherë, ka qenë kaq e izoluar dhe e shkëputur kaq shumë nga komuniteti ndërkombëtar.

“Putini ndodhet në një situatë të vështirë që nga 24 shkurti”, tha ish-deputeti i Dumës së shtetit rus dhe politikani i opozitës Dimitri Gudkov, duke iu referuar datës së inkursionit masiv ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

"Një limbo e përjetshme – njëjtë si një pozicion në shah, në të cilin çdo lëvizje që mund të bëhet, thjesht çon në një përkeqësim të situatës".

“Asnjë revoltë. Asnjë protestë masive”

Por, në Rusi, pozita e Putinit deri vonë është dukur thuajse e palëkundur, pjesërisht për shkak se Kremlini ka shpenzuar më shumë se një vit duke e shtypur opozitën aktive ose duke e dëbuar jashtë vendit.

"Lufta kriminale e Rusisë në Ukrainë ka nxjerrë në pah tipare të tilla të shoqërisë ruse që as rusofobët më famëkeq nuk i kanë pohuar", shkroi akademiku dhe anëtari i Parlamentit estonez, Mikhail Lotman, në një ese të botuar për shërbimin rus të Radio Evropa e Lirë. Ai argumentoi se raportimet e përhapura mbi plaçkitjet dhe krimeve të luftës nuk kanë pasur ndikim në publikun rus.

"Si ka reaguar shoqëria ruse? Nuk ka reaguar aspak. Ose në mënyrë tepër sporadike", shkroi ai. “Asnjë revoltë, asnjë protestë masive”.

Megjithëse sondazhet në Rusi janë shumë të kufizuara dhe duhen interpretuar me kujdes, qendra e sondazheve “Levada” ka publikuar vazhdimisht vlerësimin mbi mbështetjen ndaj Putinit që për pjesën më të madhe të vitit 2022 ka qenë mbi 80 për qind. Në gusht, shifra ishte 83 për qind.

Lev Gudkov, sociolog në agjencinë e pavarur të sondazheve “Levada Center".
Lev Gudkov, sociolog në agjencinë e pavarur të sondazheve “Levada Center".

"Pasi filloi lufta në Ukrainë, të gjithë treguesit [e mbështetjes] u rritën", tha Gudkov. "Njerëzit ndiheshin të sigurt, përjetuan një ndjenjë krenarie në demonstrimin e forcës dhe fuqisë si një superfuqi ushtarake".

Por, në shtator mbështetja për Putinin ra në 77 për qind.

Ende më shumë rusë e mbështesin Putinin tani sesa në muajt pak para pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, por disfatat ushtarake dhe mobilizimi në veçanti kanë filluar të kenë efekt, theksoi Gudkov.

“Pas mobilizimit, mendoj se situata do të ndryshojë shpejt”, tha ai.

"Një ndjenjë e mungesës së shpresës"

Pa dyshim, të dalësh publikisht kundër Qeverisë së Putinit, psikologjikisht është një hap i madh për shumicën e rusëve. Në vitet e para pasi erdhi në pushtet, Putini përdori makineritë e propagandës shtetërore për të promovuar vlerat e qeverisë së fortë, të centralizuar dhe "diktaturës së ligjit", ndërsa kritikonte vitet kaotike të ’90-ta, kur demokracia, liria e medias dhe vetëvendosja ishin fjalë kyçe.

Megjithatë, viteve të fundit Putini "ka krijuar një skenar të ri që përdor nacionalizmin dhe ekspansionizmin e Rusisë, projeksionin e fuqisë ruse në sistemin ndërkombëtar, konservatorizmin kulturor dhe kritikat ndaj Shteteve të Bashkuara, si një forcë destabilizuese në sistemin ndërkombëtar dhe si arsye për mobilizimin e mbështetjes politike", shkruan profesoresha e Shkencave politike në Universitetin Cornell, Valerie Bunce, në një analizë të vitit 2017 me titull "Perspektivat për një revolucion me ngjyra në Rusi".

Taktika të tilla e “kanë përçarë opozitën ruse duke i detyruar të zgjedhin mes të qenët patriotë apo tradhtarë”.

*Video nga arkivi: Rusët e trazuar nga lajmet për zmbrapsjen e ushtrisë

Rusët të trazuar nga lajmet për zmbrapsjen e ushtrisë në Ukrainë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Që nga viti 2012, Kremlini ka përdorur një sërë ligjesh gjithnjë e më të rrepta për "agjentët e huaj" për të etiketuar të gjithë kundërshtarët politikë si tradhtarë. Termi i ngarkuar emocionalisht i epokës staliniste është shndërruar në një damkë në një shoqëri të ndarë, pavarësisht përpjekjeve të disa liberalëve për ta kthyer atë në një simbol nderi. Disidentët politikë në Rusi mund të përballen, nëse jo me burgim, me përbuzje dhe dënim nga fqinjët, të afërmit, kolegët dhe punëdhënësit -- dhe përndjekje nga militantët pro-Kremlinit.

Dhe gjatë javëve të fundit, duke e përshkruar në mënyrë të rreme luftën e Ukrainës si një luftë ekzistenciale midis Rusisë dhe një Perëndimi "satanik", Putini e ka rritur në mënyrë retorike rrezikun për ata që e kundërshtojnë dhe u ka dhënë liri të heshtur radikalëve të krahut të djathtë që janë joshur nga mesazhet e tij nacionaliste dhe tradicionale.

Timur Saifulmulyukov, një inxhinier për sigurinë nga zjarret, 35-vjeçar dhe i martuar në qytetin siberian Tomsk, personifikon disa nga proceset që po ndodhin brenda ndërgjegjes publike ruse që nga nisja e pushtimit.

Tomsk Timur Sayfulmulyukov
Tomsk Timur Sayfulmulyukov

Para 24 shkurtit, ai ishte një person i painteresuar ndaj politikës, aq sa nuk dëgjoi as për pushtimin e Ukrainës deri të nesërmen. Kur dëgjoi për të, përgjigja e tij nuk ishte zemërim, por "një lloj apatie".

"Një ndjenjë e mungesës së shpresës", rikujton ai gjatë një interviste për Siberia.Realities të Radios Evropa e Lirë. "Ndihesh i paaftë për të bërë ndonjë gjë. Nuk ndieni se keni ndonjë rolin tuajin në asnjë prej këtyre vendimeve. Kam dëgjuar për ata që nuk ishin dakord me regjimin e Putinit. Dhe dëgjova se u ngritën çështje penale ndaj tyre dhe ata u futën në burg. Kjo provokoi dy ndjenja - nga njëra anë, ti mendon se nuk mund të bëhet asgjë, por nga ana tjetër, mendon se diçka duhet bërë".

Gjatë gjithë verës, ai qëndroi pasiv dhe i heshtur.

Më 24 shtator, pasi dëgjoi njoftimin e Putinit për mobilizimin, Saifulmulyukov marshoi në mes të një rruge kryesore në Tomsk, duke bllokuar trafikun, ndërsa mbante një tabelë të punuar me dorë që mbante slogane kundër luftës. Ai u ndalua pas rreth dy minutash dhe më pas u akuzua për bllokim të qarkullimit rrugor dhe për "diskreditim të forcave të armatosura".


Siafulmulyukov tha se gruaja e tij nuk e mbështeti vendimin e tij për të protestuar.

"Është psikologjikisht e vështirë për të", tha ai. "Ne kishim diskutuar më parë mbi përgjegjësinë tonë personale për atë që po ndodh në vendin tonë dhe arritëm në përfundime të ndryshme. Unë e ndiej këtë përgjegjësi, por ajo -epo, ajo ndien disa, por ajo mendon që nuk duhet bërë asgjë. Sipas saj, ne nuk kemi fuqi ndikuese dhe nuk ka kuptim të rrezikosh jetën”.

“Autoritetet i kuptojnë kërcënimet”

Në periudhën para pushtimit të Ukrainës, Qeveria e Putinit kishte çmontuar me zell të gjitha format e opozitës së organizuar politike. Udhëheqësi karizmatik i opozitës, Aleksei Navalny, u burgos pasi u vu në shënjestër të një helmimi thuajse fatal, për të cilin ai thotë se provat tregojnë se ishte kryer nga operativë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) që vepronin me urdhër të Putinit. Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnyt dhe rrjeti i tij i zyrave rajonale u cilësuan "ekstremiste" dhe u mbyllën. Shumë nga mbështetësit e tij më aktivë u larguan nga vendi nën kërcënimin e ndjekjes penale.

Organizata të tjera publike të pavarura që kishin shërbyer më parë si lokacione të lëvizjeve opozitare apo si një rrjet disidentësh, si shoqata për të drejtat e njeriut, Memorial, u vunë në shënjestër në mënyrë të ngjashme dhe lidhjet me to u konsideruan tradhti.

"Problemi kryesor për protestat aktive është se për ato nevojitet jo vetëm veprim individual", tha studiuesi politik rus, Vladimir Gelman, i cili jep mësim në Universitetin e Helsinkit në Finlandë, në një intervistë me median e orientuar nga Rusia, Meduza.

Vladimir Gelman, studiues politik rus.
Vladimir Gelman, studiues politik rus.

"Protestat kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet njerëzve të ndryshëm. Dhe, situata në këtë drejtim [në Rusi] është e keqe", tha Gelman.

Protestat lokale mund të organizohen me autoritetin e individëve të njohur në komunitet dhe duke përdorur rrjetet lokale të shkëmbimit të informacionit.
"Por, potenciali i këtyre protestave nuk shkon përtej rasteve të veçanta", shtoi Gelman.

"Potenciali për koordinim u kufizua ndjeshëm edhe para shkurtit 2022", tha ai, duke iu referuar datës së pushtimit, duke përshkallëzuar në mënyrë dramatike një luftë 8-vjeçare në Ukrainën lindore.

"Autoritetet i kuptuan kërcënimet që rrjedhin nga çdo strukturë e organizuar dhe u përpoqën t'i dobësonin ato në çdo mënyrë të mundshme. Dhe, ia dolën".

Edhe kjo situatë duket se po ndryshon në vazhdimësi. Më 4 tetor, bashkëpunëtorët kryesorë të Navalnyt njoftuan se po riaktivizonin rrjetin e tij në Rusi si një lloj qendre koordinimi për të kundërshtuar Putinin dhe luftën.

Kanali Sirena, në rrjetin Telegram, raportoi se ekipi i Navalnyt mori këtë vendim për shkak të "dobësimit të pozitës së regjimit të Putinit pas shtatë muajsh luftë dhe mobilizimit".

Për më tepër, Gudkov tha se hulumtimi i Qendrës Levada tregon se një numër në rritje i rusëve po kërkojnë qasje ndaj informacioneve nga burime që nuk kontrollohen nga Kremlini si kanalet Telegram, duke kërkuar me vetëdije të anashkalojnë censurën shtetërore. Gudkov thotë se përqindja e të anketuarve që përdorin "kanalet alternative" është rritur nga 7-8 për qind sa ishte disa muaj më parë, në 22 për qind.

"Do të ndodhë patjetër një ndarje"

Kryengritjet e mëdha popullore rrallë ndodhin vetëm në bazë të zemërimit moral. Të ashtuquajturat revolucionet me ngjyra të epokës post-sovjetike janë nxitur kryesisht nga pritshmëri zhgënjyese mbi zgjedhje të diskutueshme. Ato ushqehen nga përçarjet brenda elitave në pushtet, me disa fraksione që i bëjnë thirrje publikut që të rreshtohet në mbështetje të tyre kundër autoriteteve që refuzojnë të heqin dorë nga pushteti.

Ky ka qenë model edhe në historinë ruse, kur kryengritjet popullore në shkallë të gjerë më 1905, në shkurt 1917, 1991 dhe 1993 ishin efektive kundër qeverive të dobësuara dhe të ndara, me vetë protestat që mbështeteshin nga fraksionet brenda strukturave të pushtetit social dhe politik.

Kur pashë fytyrat e burokratëve dhe deputetëve që u mblodhën në Pallatin e Kongreseve të Kremlinit me ftesë të Putinit, nuk pashë ndonjë gëzim atje".
Lev Gudkov

Fenomeni u pa përsëri në epokën e Putinit, kur pensionistët dhe dhjetëra mijëra veta të tjerë anembanë Rusisë dolën në rrugë në fund të vitit 2004 dhe në fillim të vitit 2005 kundër një plani të Qeverisë për të reformuar subvencionet kryesore sociale.

Shumë prej protestuesve kërkuan dorëheqjen e Putinit në demonstratat që u mbështetën në heshtje ose në mënyrë eksplicite nga guvernatorët rajonalë, nga partia komuniste dhe forca të tjera.

Kriza e benefiteve e shtyu Kremlinin të merrte masa të forta për të mbështetur të ashtuquajturën vertikale të pushtetit. Kur provat e mashtrimeve të Qeverisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 e afruan Rusinë me "revolucionin e saj me ngjyra", autoritetet kishin tashmë të gjitha mjetet që u nevojiteshin për të shtypur kryengritjen dhe asnjë figurë e rëndësishme brenda elitës qeverisëse, nuk u rebelua.

Megjithatë, politikani opozitar Gudkov tha se tani situata duket ndryshe, shumë larg nga "euforia" e pushtimit të rajonit të Krimesë nga Putini në vitin 2014.

“Kur pashë fytyrat e burokratëve dhe deputetëve që u mblodhën në Pallatin e Kongreseve të Kremlinit me ftesë të Putinit, nuk pashë ndonjë gëzim atje”, tha Gudkov për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar fjalimit të Putinit të 30 shtatorit që zyrtarizonte përpjekjet e pabaza të Moskës për të aneksuar katër rajone të tjera pjesërisht të pushtuara të Ukrainës.

Është shumë herët, tha Gudkov, për të folur për një "përçarje brenda elitave", por sistemi i Putinit "po dridhet".

“Një ndarje do të ndodhë patjetër”, shtoi ai, “sepse tashmë po shohim formimin e qendrave konkurruese të pushtetit”.

Megjithatë, aktualisht, "gjithçka ende rrotullohet rreth Putinit", tha Gudkov.

Përgatiti: Besmir Nenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG