Ndërlidhjet

Nagavci për pagat: Komunat nuk i raportuan Ministrisë së Financave


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI), Arbërie Nagavci.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë të martën se komunat nuk i kanë raportuar Ministrisë së Financave listat e punëtorëve për muajin shtator.

Sipas saj, komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar dhe janë punëdhënëse të këtyre institucioneve.

Ajo i ka bërë këto deklarata një ditë pasi kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se sindikalistët e arsimit – që kanë qenë në grevë - nuk kanë marrë paga për muajin shtator.

Mirëpo, sipas tij, shërbyesve civilë, të cilët po ashtu kanë qenë pjesë e grevës, u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

Greva në arsim dhe në administratën publike, në nivelin lokal dhe qendror, ka nisur më 25 gusht të këtij viti dhe është pezulluar më 1 tetor.

Sindikalistët kanë mbajtur grevën me kërkesë kyçe për ndarje të 100 eurove për punëtorë, për çdo muaj, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Qeveria, në anën tjetër, ka publikuar një pako për ndihmë - për shkak të rritjes së inflacionit - dhe në të janë ndarë edhe nga 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe ky dokument është në procedura të konsultimeve publike.

"Komuna e Drenasit e ka dërguar listën e pagave"

Ndaj deklaratës së ministres Nagavci, ka reaguar Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se komuna që e udhëheq ai, e ka dërguar listën e pagave për punëtorët e arsimit, sipas afatit ligjor.

Sipas tij, Ministria e Financave ka vepruar jashtëligjshëm me ndalimin e pagesave për mësimdhënës.

“Një dëshmi tjetër që është vepruar në kundërshtim me ligjin, është edhe fakti se edhe mësimdhënësve që janë në pushim të lehonisë, apo pushim mjekësor, u është ndaluar paga”, ka thënë mes tjerash ai.

“Fëmijët u dëmtuan më së shumti nga greva”

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se MASHTI i ka dorëzuar Ministrisë së Financave të dhënat që kanë pasur për inspektorët dhe zyrtarët tjerë të Ministrisë “me qëllim të realizimit të pagave për ta”.

Mes tjerash Nagavci ka thënë se kanë zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut që të mos marrin “hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim.

“Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer”.

Sipas saj, ligji duhet të respektohet në tërësi.

Neni 18-të i Ligjit për greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Nagavci ka thënë mes tjerash se më 4 tetor do të publikohet kalendari i rishkruar për 22 ditë të humbura të mësimit dhe se, ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga SBASHK, janë nxënësit.

“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”.

Në anën tjetër, Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u, ka thënë më 3 tetor për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 5 tetor, “situata do të tensionohet”.

Prindërit: Duam normalitet

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka bërë thirrje për normalitet.

Përmes një postimi në Facebook, pjesëtarë të Këshillit kanë thënë se ndonëse nuk janë pajtuar asnjëherë me grevën, ata solidarizohen me mësimdhënësit “kur trajtohen padrejtësisht e jashtë çdo norme, me interpretim të njëanshëm ligjor dhe jashtë të gjitha praktikave të deritanishme”.

“Le t'i trajtojmë të tjerët siç duam të trajtohen fëmijët tanë”, është thënë mes tjerash në postim.

Edhe në kohën sa është mbajtur greva, prindërit kanë dalë nëpër protesta, duke kërkuar nisjen e procesit mësimor.

Si pasojë e grevës në arsim, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur një muaj pa mësim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG