Ndërlidhjet

Putin përballet me zemërimin e rusëve për humbjet në Ukrainë


Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Për javë të tëra, në kanalet e pacensuruara në Telegram të nacionalistëve të linjës së ashpër dhe blogerëve ushtarakë rusë, ka pasur një seri kritikash dhe zemërimi ndaj komandantëve ushtarakë të Rusisë, në mes të një kundërofensive befasuese ukrainase në rajonin e Harkivit dhe gjetkë, që rezultoi me humbje të konsiderueshme në palën ruse.

Me fitoren e ukrainasve në Liman, një qytet në rajonin e Donjeckut, këto kritika kanë shpërthyer para një publiku më të gjerë, duke zënë faqet e para të disa prej gazetave më të mëdha ruse.

Ky është një problem serioz për ushtrinë e Rusisë dhe potencialisht edhe për Kremlinin.

“Unë nuk do të parashikoja se mund të ndodhë një grusht-shtet i menjëhershëm. Nëse do të ndodhte diçka e tillë në Kremlin, ne do të ishim të fundit që do ta merrnim vesh, këto gjëra janë procese të shpejta kur ndodhin”, tha kreu i Programit për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Chatham House në Londër, James Nixey. “Por, padyshim, ka një pakënaqësi në rritje në mesin e klasave të larta ruse sa i përket asaj se si po shkon lufta, dhe kjo pakënaqësi manifestohet në mënyra të ndryshme. Njerëzit nuk mund ta mbajnë më vete këtë”.

“Problemi është se kontrolli [i presidentit rus, Vladimir] i Putinit, në të gjitha mënyrat është shumë i fortë që njerëzit të mobilizohen dhe të konsolidohen duke formuar një aleancë, pa bërë lëvizje kundër tij”, tha ai për Radion Evropa e Lirë dhe shtoi:

“Unë personalisht mendoj se ... elita ruse kurrë nuk ka qenë më në rrezik që të kolapsojë sesa tani”.

Gjatë 23 vjetëve të Putinit në pushtet, media ruse, që dikur ishte e lirë, është nënshtruar përmes masave të ashpra. Pas pushtimit të 24 shkurtit, ai nënshkroi një legjislacion që në shumë raste e konsideron vepër penale raportimin e pavarur për luftën, por edhe kritikat dhe mospajtimet ndaj luftës. Legjislacioni ndëshkon të gjithë ata “që diskreditojnë forcat e armatosura” ruse.

Ky legjislacion u bashkohet edhe veprimeve të tjera, siç ishte mbyllja e disa prej mediave të pavarura, përfshirë radion Ekho Moskvy dhe gazetën Novaya Gazeta. Po ashtu, rrjetet sociale si Facebook, Twitter dhe VK, janë censuruar ose është ndaluar qasja në to.

Aplikacioni i mesazheve Telegram, megjithatë vazhdon të jetë i pacensuruar nga rregullatorët rusë. Kjo ka rezultuar në përhapje të informacioneve, kritikave dhe diskutimeve, përfshirë edhe për atë se sa keq po shkon lufta për forcat ruse.

Dhe, blogerët ushtarakë pro-rusë kanë përfituar nga situata.

“Dërgoni të gjithë këta bastardë... këmbëzbathur në front”

Brenda Rusisë, diskutimet për humbjet e ushtrisë në Ukrainë, në fillim të luftës, janë heshtur. Edhe pasi forcat ruse dështuan të merrnin kontrollin e Kievit në javët e para të pushtimit, komandantët rusë dhe blogerët thanë se tërheqja dhe ripërqëndrimi i forcave ruse në Donbas – në rajonet Donjeck dhe Luhansk – ishte një vendim taktik.

Kremlini ndryshoi disa prej komandantëve kryesorë, duke riorganizuar strukturën komanduese, dhe madje duke shkarkuar disa komandantë.

Para njoftimit të Putinit më 21 shtator për mobilizim “të pjesshëm”, Igor Girkin – një ish-zyrtar famëkeq i inteligjencës që kishte luajtur një rol kyç kur lufta e parë shpërtheu në Donbas më 2014 – kritikoi ushtrinë ruse dhe për javë të tëra i bëri thirrje Putinit që të shpallte mobilizim të përgjithshëm.

Më 2 tetor, një ditë pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi tërheqjen nga Limani, Girkin postoi një fotografi të kreut të Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura, gjeneralit Valery Gerasimov, duke e kritikuar atë. Ai, po ashtu, kritikoi komandantin kryesor të Qarkut Qendror ushtarak, gjeneralkolonelin Aleksandr Lapin, madje edhe ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të cilin Girkin e ka tallur vazhdimisht.

“Ky miku ynë duhet të përgëzohet për të gjitha fitoret tona në operacionin e tanishëm të posaçëm ushtarak”, shkroi Girkin me sarkazëm, duke iu referuar gjeneralit Gerasimov.

Ramzan Kadyrov, udhëheqës i Çeçenisë, ka qenë edhe më kritik ndaj ushtrisë. Më 1 tetor, ai akuzoi gjeneralkolonelin Aleksandr Lapin se ka dështuar t’u ofrojë ushtarëve kanale të duhura komunikimi dhe furnizime. Ai, po ashtu, propozoi që të ndërmerren masa më drastike, përshirë edhe përdorimin e armëve bërthamore taktike kundër Ukrainës.

Kritikave të tij u bëri jehonë Yevgeny Prigozhin, një biznesmen nga Shën Petersburgu që njihet për lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin dhe i cili ka në pronësi kompaninë famëkeqe të mercenarëve, Vagner.

“Deklaratat ekspresive të Kadyrovit, natyrisht, nuk janë aspak të stilit tim”, citohet të ketë thënë Prigozhin. “Por, mund të them.... dërgoni të gjithë ata bastardë këmbëzbathur, me mitraloza, në frontin e luftës”.

Më 2 tetor, gazeta Komsomolskaya Pravda, media që ka mbështetur Qeverinë e Putinit dhe luftën në Ukrainë, publikoi një artikull nga korrespondenti i saj kryesor për luftën, i cili paraqiti humbjet e trupave ruse dhe “arsyet tipike se pse kanë ndodhur” këto humbje.

“Por, për to u fol pas tërheqjes nga rajoni i Harkivit: Mungesa e ushtarëve, gabimet e zyrtarëve ushtarakë në organizimin e mbrojtjes”, shkroi gazetari, duke përmendur gjithashtu se një problem tjetër ishin edhe ushtarët që kanë refuzuar të luftojnë.

“Dhe rezervat që erdhën me vonesë, mungesa e koordinimit në terren midis njësive të ndryshme dhe mungesa e pajisjeve moderne të zbulimit”, shkroi gazetari, duke renditur kështu, arsyet, që sipas tij, çuan në humbjet e ushtrisë ruse.

“Rreziku i rrethimit apo marrjes peng, u rritën, dhe komandantët rusë morën vendim që të tërhiqeshin”, shkroi ai.

Me titullin “Dorëzimi i Limanit është shndërruar në problem politik”, gazeta Nezavisimaya Gazeta publikoi një kolumne më 2 tetor, që thoshte se “për herë të parë që nga nisja e operacionit të posaçëm ushtarak, komandantët e ushtrisë haptazi po emërohen nëpër komente, duke pretenduar se janë fajtorë për problemet që po shfaqen në front”.

Kjo gazetë citoi edhe Andrei Gurulyov, ish-gjeneral dhe ish-komandant i njësisë 58-të të ushtrisë, i cili tani është ligjvënës në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

“Nuk e kuptoj pse ata nuk e vlerësuan saktë situatën gjatë gjithë kohës, nuk e forcuan grupin”, tha Gurulyov. “Problemi është se ishte gënjeshtër, se situata ishte mirë... I gjithë problemi nuk është në terren, por [në Ministrinë e Mbrojtjes] ku ata ende nuk e kuptojnë, ende nuk e kanë nën kontroll situatën”.

“Derisa të ndodhë diçka e re në Shtabin e Përgjithshëm, asgjë nuk do të ndryshojë”, tha ai, sipas gazetës Nezavisimaya Gazeta.

Edhe në kanalet televizive kryesore shtetërore – që shërbejnë si burimi kryesor i informimit për shumicën e rusëve – në ditët e fundit, toni është bërë më i matur. Edicionet të lajmeve të mbrëmjes së 2 tetorit shmangën që të përmendnin në mënyrë eksplicite se Limani ishte humbur apo se ushtria ruse ishte tërhequr.

Në Rossia-1, që shikohet nga miliona shikues, prezantuesi Dmitry Kiselyov, foli për situatën “e vështirë” në Donbas.

Dhe në programin në Rossia-1, ku debatet për një kohë të gjatë janë zhvilluar për të mbështetur Kremlinin dhe për të kritikuar Perëndimin, prezantuesi Vladimir Solovyov paralajmëroi se edhe nëse mobilizimi vazhdon, rusët nuk duhet të presin lajme të mira në një periudhë të shkurtër kohore.

“Kjo nënkupton se për një periudhë të caktuar kohore, gjërat nuk do të jenë të lehta për ne. Dhe, tani ne nuk duhet të presim lajme të mira”, tha Solovyov. “Ne na duhet që të kemi durim të gjatë dhe strategjik”.

Në Ukrainë, zyrtarët thanë me gëzim se kritikat tani po dalin në sipërfaqe. Në një video të postuar më 1 tetor, vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përmendi këtë fakt: “Meqë ra fjala, ata tashmë kanë filluar ta kafshojnë njëri-tjetrin: ata po kërkojnë fajtorët, duke fajësuar disa gjeneralë për dështimet”, tha ai.

“Pranimi i humbjes apo koncesionit nga Rusia: Këto opsione nuk janë në tavolinë”

Humbja ruse në Liman dhe kritikat e ashpra, ishin në kontrast me deklaratat triumfuese të Kremlinit të bëra një ditë para rënies së Limanit, kur Putini përmes një ceremonie shpalli aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, përfshirë edhe atë ku ndodhet qyteti i Limanit.

“Mesazhi kryesor [i fjalimit] është se Putini nuk do të ndalet, pavarësisht kostove. Fjalimi ishte jokoherent dhe sugjeroi se nuk ka një strategji të qartë”, tha Margarita Zavadskaya, profesoreshë e shkencave politike në Qendrën për Studime Ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Helsinkit. “Regjimi rus po manifeston natyrën e tij personalizuese dhe mungesën e çdo përmbajtjeje”.

Kritikat, po ashtu, përkojnë me nervozizmin në rritje të shumë rusëve lidhur me konfliktin në Ukrainë, veçanërisht për shpalljen e papritur nga Putini të mobilizimit të qindra mijëra rezervistëve dhe të tjerëve për të luftuar. Kjo ka çuar në një eksod masiv të burrave dhe grave, të cilët po largohen nga Rusia.

Po ashtu ka çuar në rritjen e ankthit dhe alarmimit në mesin e rusëve, sipas sondazheve të shumta të opinionit publik.

Urdhri për mobilizim, tha Nixey nga instituti Chatham House, sugjeron se Putini është krejtësisht i izoluar nga realiteti se sa keq është duke shkuar fushata ruse në Ukrainë.

“Nuk mendoj se është injorancë. Ngjarjet e fundit të mobilizimit sugjerojnë se Vladimir Putin po ushqehet me informacione më të sakta”, tha Nixey. “Atij po i thuhet se nuk është duke shkuar mirë dhe ai po bën lëvizje për ta ndryshuar rrjedhën”.

“Mendoj se Kremlini është i ndjeshëm ndaj popullatës dhe po kërkon mënyra për t’u siguruar që pajtueshmëria me të të vazhdojë në situatën e përkeqësuar, në fushëbetejë”, tha ai.

“Opsioni më pak i mundshëm nga të gjithë është një lloj pranimi i humbjes ose i koncesionit, apo edhe vërtet të shkohet në tavolinën e bisedimeve. Por, aktualisht ky nuk është opsion”, tha ai. “Një luftë e gjatë është më e parapëlqyer për Kremlinin sesa një luftë e shkurtër, në të cilën nuk ka asnjë mundësi që të paraqitet si fitore”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG