Ndërlidhjet

SHBA-ja sanksionon kryeministrin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës


Kryeministri i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliq.
Kryeministri i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliq.

Kryeministri i Federatës të Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliq, dhe Sllobodan Stanoviq, biznesmen i lidhur me liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, janë personat e fundit që Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar.

Më 3 tetor, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit, tha se këta dy persona janë sanksionuar për shkak të minimit të institucioneve demokratike “për përfitime personale dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre të patronazhit”.

“Ne do të vazhdojmë të shënjestrojnë personat që destabilizojnë rajonin, por edhe mbështetësit e tyre, duke i mbajtur përgjegjës”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E.Nelson.

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, kryeministri Fadil Novalliq, ka keqpërdorur të dhënat e pensionistëve për përfitimin e subjektit së tij, Partisë për Veprim Demokratik, duke shkelur ligjet e Bosnjë e Hercegovinës.

“Një javë para mbajtjes së zgjedhjeve më 2018, Novalliq përdori të dhënat e pensionistëve, që i kishte marrë përmes pozitës së tij zyrtare, dhe u dërgoi letra me një listë të arritjeve të tij duke premtuar rritje të pensioneve. Ky veprim shkel ligjet e Bosnjë e Hercegovinës dhe reflekton mbi veprimet e tij të përsitura për të përdorur pozitën politike për përfitime personale apo të partisë së tij, duke minuar proceset demokratike apo institucionet e Bosnjë e Hercegovinës”, tha SHBA-ja.

Ndërkaq, biznesmeni Sllobodan Stankoviq, një prej njerëzve më të pasur në Bosnjë dhe pronar i një firme inxhinierike, Integral, në Republikën Sërspka, sipas SHBA-së është i lidhur me korrupsion në sektorin e ndërtimit, pasi kompania e tij, ka fituar disa prej projekteve më të mëdha në Republikën Sërpska.

“Shumica e projekteve të mëdha ndërtimore shpesh i jepen Stankoviqit pa garë të hapur dhe të drejtë. Shumica e pasurisë së tij vjen nga paratë publike”, tha SHBA-ja.

Stankoviq po ashtu është ish-pronar i televizionit Alternativa, që është subjekt i sanksioneve të SHBA-së. Kjo media është nën kontrollin personal të anëtarit të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një deklarate tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të promovojnë llogaridhënie për “veprimet që minojnë proceset demokratike dhe institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe personat që marrin pjesë në këto veprime apo ndihmojnë aktivitete të tilla”.

Blinken tha se nën udhëheqjen e Dodikut, entiteti i Republikës Sërpska, po tenton të krijojë struktura paralele që minojnë institucionet e nivelit shtetëror, “përderisa partitë etno-nacionaliste në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës po dëmtojmë proceset demokratike të vendit, duke abuzuar me pushtetin dhe duke përfituar në mënyrë joligjore financiarisht dhe politikisht”.

Dodik po ashtu është në mesin e personave të sanksionuar nga SHBA-ja. Ai fillimisht ishte sanksionuar më 2017 dhe më pas në dhjetor të vitit 2021.

Uashingtoni tha se të gjitha pronat e personave të sanksionuar më 3 tetor do të bllokohen dhe po ashtu do të ndalohet bërja e biznesit me ta nga individët në SHBA.

Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë dhe më 26 shtator vendosën sanksione edhe ndaj Prokurores së Shtetit, Diana Kajmakoviq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG