Ndërlidhjet

Greva pezullohet deri në janar


Një nxënës duke mësuar në shtëpi, për shkak të grevës në sektorin e arsimit në Kosovë.
Një nxënës duke mësuar në shtëpi, për shkak të grevës në sektorin e arsimit në Kosovë.

Greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar, bënë të ditur përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Pezullimi i grevës mundëson që mësimi të nisë më 3 tetor.

Kreu i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, tha në një konferencë për media më 1 tetor se greva nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janar të vitit 2023.

Ai porositi Qeverinë që ta shfrytëzojë këtë kohë për dialog me sindikalistët dhe mos ta marrë "si fitore, sepse nuk ka fituar askush".

"Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. Uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajë fjalën për Ligjin e pagave, për ndryshimin e Ligjit të skemave pensionale, e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vjet kontributdhënës para vitit 1990. Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për sigurime shëndetësore, uroj që tri palët në këshillin ekonomik-social ta nënshkruajnë Marrëveshjen Kolektive, diçka që është bazament për të drejtat e sindikalistëve në Kosovë", tha Jasharaj.

Ndërkaq, kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se greva nuk ishte akt individual ose një grupi individësh, por tha se ishte mjet i veprimit sindikal, duke shtuar se greva e tyre ishte e ligjshme.

MASHTI mirëpret ndërprerjen e grevës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin për nisjen e vitit të ri shkollor, por tha se greva ka shkaktuar “dëm të madh”, andaj ajo tha se duhet angazhim për të përmirësuar këto humbje.

“Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, më 3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës”, shkroi ajo në Facebook, duke u bërë thirrje institucioneve komunale që të ndërmarrin masa që mësimi të nisë të hënën.

Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal dhe qendror, nisi më 25 gusht.

Deri te pezullimi i grevës u tha se erdh pas votimit të anëtarësive të sindikalistëve. Në sindikatën e arsimit, 54.88 për qind e anëtarësisë ka votuar për pezullimin e grevës deri në janar.

Për shkak të grevës, për gati pesë javë, mbi 300.000 nxënës mbetën jashtë bankave shkollore.

Sindikalistët kërkuan 100 euro për punëtorë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Por, Qeveria publikoi një pako për ndihmë për shkak të rritjes së inflacionit dhe në të u parapa 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe i njëjti është në procedura të konsultimeve publike. Ai më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, legjislacioni ky legjislacion pritet të hyjë në fuqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG