Ndërlidhjet

Gjermania ndan 200 miliardë euro për t'i përballuar kostot e energjisë


Kancelari gjerman, OIaf Scholz pranë një turbine me gaz. 3 gusht 2022.
Kancelari gjerman, OIaf Scholz pranë një turbine me gaz. 3 gusht 2022.

Gjermania tha të enjten se do të investojë 200 miliardë euro për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja e kostove të energjisë, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

"Qeveria gjermane do të bëjë gjithçka që çmimet të bien", tha kancelari Olaf Scholz.

Ai njoftoi se paketa përfshin vendosjen e një çmimi tavan për gazin dhe një plan për të hequr fitimet e papritura të kompanive të energjisë, të cilat janë goditur pak nga rritja e çmimeve të gazit.

Fondi prej 200 miliardë eurosh, sipas Scholzit, është krijuar për t'u siguruar që Gjermania mund të përballet me pasojat e rritjes së çmimeve "këtë vit, vitin e ardhshëm dhe atë pas tij".

Gjermania, e cila ka qenë shumë e varur nga importet e lëndëve fosile djegëse nga Rusia për të plotësuar nevojat e saj energjetike, është vënë nën stres pasi furnizimet nga Moska po pakësohen.

Njoftimi i së enjtes u bë pasi inflacioni u rrit në nivelin më të lartë në 70 vjetët e fundit, në 10 për qind në shtator, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë.

"Ne e gjejmë veten në një luftë energjetike mbi mirëqenien dhe lirinë", tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.

Vendosja e kufirit për çmimin e gazit duhet të mbulojë "të paktën një pjesë" të gazit të përdorur nga familjet dhe bizneset, duke "ruajtur thirrjen për të reduktuar përdorimin e gazit" gjatë dimrit, pasi furnizimet janë të kufizuara, tha qeveria në një deklaratë.

Në të njëjtën kohë, qeveria do të punojë për të kufizuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët, duke hequr fitimet e marra nga kompanitë energjetike që kanë përfituar nga rritja e çmimeve të gazit, por që nuk përdorin burimin e energjisë për të prodhuar energji.

Njoftimi pasoi vendimin vendimin e Qeverisë gjermane për ta shtetëzuar kompaninë më të madhe importuese të gazit në vend, Uniper.

Gjermania ka thënë gjithashtu se ka në plan të mbajë në funksion dy centralet bërthamore edhe në çerekun e parë të vitit 2023, për të mbështetur rrjetin elektrik.

Gjermania pati planifikuar që t'i ndalë të gjitha centralet bërthamore në fund të këtij viti, mirëpo lufta në Ukrainë ka rritur shqetësimet se shtetit do t’i duhet të shfrytëzojë të gjitha burimet e energjisë për të kaluar dimrin.

Perëndimi e ka ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.

Për pasojë, Rusia e ka zvogëluar sasinë e gazit që çon në Evropë, duke rritur shqetësimet për dimër të vështirë.

Para shpërthimit të luftës, Bashkimi Evropian ka siguruar nga Rusia 40 për qind të gazit që përdor brenda një viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG