Ndërlidhjet

Shkupi nuk njeh referendumet e rreme ruse në Ukrainë


Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Fotografi nga arkivi.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut nuk njeh rezultatet e të ashtuquajturave referendume në rajonet e Ukrainës, tha më 26 shtator, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

“Referendumet në territoret e okupuara të Ukrainës janë manipuluese dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do t'i njohë rezultatet. Duhet të punohet për t'u shpjeguar qytetarëve tanë dëmet e agresionit rus kundër Ukrainës dhe çfarë kjo do të thotë për interesat tona kombëtare”, tha Osmani.

“Të jesh në anën e agresionit rus do të thotë të jesh kundër interesave të tua kombëtare, dhe ne si politikanë dhe mediat duhet të shpjegojmë se çfarë do të thotë kjo dhe çfarë lloj efekti domino prodhon kur një vend më i fortë dëshiron të aneksojë territorin e një vendi fqinj”, shtoi ai.

Në katër rajone të Ukrainës, që pjesërisht kontrollohen nga Rusia, po mbahen referendumet e rreme ruse, që kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator.

“Qëndrimi yni si shteti është i qartë është se këto janë referendume manipuluese, qëllimi i të cilave është alibi për aneksimin e territoreve të vendeve të tjera dhe ne nuk do t'i njohim rezultatet e referendumeve të tilla”, theksoi Osmani.

Lidhur me marrëdhëniet me Rusinë dhe kontaktet me Ambasadën ruse, Osmani tha se nuk ka asnjë raport me Moskën.

Maqedonia e Veriut, sipas tij, mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe që në fillim të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës ka mbështetur të gjitha sanksionet që janë vendosur kundër Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG