Ndërlidhjet

NATO: Rusia thellon ndarjet dhe konfliktet në Ballkanin Perëndimor


Takimi në Budvë i Kartës SHBA-Adriatik.
Takimi në Budvë i Kartës SHBA-Adriatik.

Njoftimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për shpalljen e mobilizimit të pjesshëm ushtarak, tregon se udhëheqja politike ruse është e gatshme të dëmtojë interesat e popullit të saj. Por, ky vendim po ashtu tregon se Rusia ka dështuar të përmbushë qëllimet strategjike ushtarake në Ukrainë, tha kreu i Komitetit ushtarak të aleancës së NATO-s, Rob Bauer.

Admirali holandez, Bauer, i bëri këto deklarata më 22 shtator në Budvë, ku po mbahet konferenca e Kartës SHBA-Adriatik (A5), vetëm një ditë pasi Putin njoftoi për mobilizimin ushtarak.

Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska do të përgjigjej me forcë nëse Perëndimi vazhdon me “shantazhin bërthamor”. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Rusia do të mobilizojë menjëherë 300.000 rezervistë, vendim që nxiti protesta në Rusi.

“Njoftimi i Putinit qartazi tregon se Rusia ka dështuar që të arrijë qëllimet e saj ushtarake dhe po detyron të rinjtë që të vdesin në një luftë në të cilën ata nuk besojnë”, tha Bauer.

Sipas tij, Rusia, por edhe Kina, mundohen që të shfrytëzojnë çdo mundësi për të thelluar ndarjet dhe konfliktet, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

“Paqja dhe stabiliteti nuk duhet asnjëherë të merren si të mirëqena. NATO dhe Bashkimi Evropian prodhojnë efekte të mëdha kur këto dy organizata punojnë së bashku. Ne e dimë mirë koston e luftës dhe konfliktit, prandaj ne do të bëjmë gjithçka që të promovojmë paqen”.

Gjenerali amerikan, Christopher Cavoli, komandant suprem në Evropë i NATO-s, tha se agresioni i pajustifikuar dhe joligjor i Rusisë kundër Ukrainës përbën shkelje të parimeve bazike të paqes dhe stabilitetit:

“Një përgjigje do të duhej të jepej nga shtetet që duan një Evropë paqësore dhe të bashkuar dhe duan të tregojnë se ata që duan të minojnë sigurinë evropiane, do të përballen me pasoja”.

Ai paralajmëroi se politikat në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të dobësohen nga përpjekjet revizioniste në disa shtete, teksa bëri thirrje që këto shtete të qëndrojnë të përkushtuara për rregullin ndërkombëtar.

“Ajo që ju po jepni është thelbësore për ukrainasit që ta mbrojnë atdheun e tyre”, tha Cavoli.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë të Malit të Zi, Zoran Llazareviq, theksoi se janë të vetëdijshëm për sfidat serioze që kanë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në kufijtë lindorë të Evropës.

“Sfidat e reja në tokën evropiane përbëjnë një kërcënim të mundshëm për rajonin tonë po ashtu. Prezenca e NATO-s në rajon është e një rëndësie kyçe për stabilitetin dhe integrimin e plotë në aleancë”, tha Llazareviq.

Ai tha se në dekadat e fundit, rajoni i Ballkanit Perëndimor është përballur me sfida të shumta, që kanë ndryshuar në aspektin e intensitetit dhe formës përgjatë viteve, por nuk janë zhdukur.

“Fatkeqësisht, disa sfida janë ende aktive. Është mirë që ne nuk i mbyllim sytë para këtyre fakteve dhe gjejmë mënyra për të mbrojtur dhe ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon. Prania e forcave të NATO-s në rajon është e një rëndësie kyçe për të arritur sukses në këtë drejtim”, shtoi Llazaroviq.

Ndërkaq presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha gjatë kësaj konference se për herë të parë po përballen me kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore, kërcënime që ai i cilësoi shqetësuese.

“Mali i Zi është i shqetësuar për sfidat e sigurisë në BE që mund të kenë implikime në Ballkan”, tha Gjukanoviq.

Sipas tij, mosangazhimi i mjaftueshëm i BE-së dhe NATO-s në rajon, së bashku me perceptimin e gabuar lidhur me rëndësinë e integrimit, kanë krijuar hapësirë për ndikimin e palëve të treta.

Karta SHBA-Adriatik është krijuar më 2003 nga Shtetet e Bashkuara dhe ka për synim që të koordinojë aktivitetet mbështetëse për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia janë pjesë e kësaj karte, ndërkaq Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë status të shteteve vëzhguese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG