Ndërlidhjet

BE kërkon nga Serbia të mos i madhërojë kriminelët e luftës


Flamuri i Bashkimit Evropian. Fotografi nga arkivi.
Flamuri i Bashkimit Evropian. Fotografi nga arkivi.

Bashkimi Evropian ua tërhoqi vërejtjen liderëve politikë dhe fetarë në Serbi që të mos i madhërojnë, siç tha, kriminelët e luftës. Reagimi vjen pas lajmit se Kisha Ortodokse Serbe dekoroi Vojisllav Sheshelin - i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi.

“Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, për gazetarët në Bruksel.

“Qëndrimi i BE-së është i qartë. Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizëm dhe madhërim të kriminelëve të luftës - gjëra që janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane”, tha Pisonero.

Ajo shtoi se nga udhëheqësit fetarë pritet që të punojnë drejt pajtimit dhe tejkalimit të ndasive nga e kaluara.

“Prijësit fetarë dhe bashkësitë fetare kanë, po ashtu, përgjegjësi që të dëshmojnë lidership në përpjekjet për tejkalimin e trashëgimisë së vështirë nga e kaluara, si dhe të ndërtojnë në mënyrë konstruktive mirëbesim të ndërsjellë, tolerancë dhe dialog”, tha Pisonero.

Sheshelit iu dha urdhri “Ipeshkvi i Shenjtë Mardari” nga një dioqezë e Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka selinë në Çikago.

Çmimi iu dorëzua të dielën nga peshkopi Irinej i Baçkës, njoftoi Partia Radikale Serbe e Sheshlit.

Kjo është hera e tretë që Kisha Ortodokse Serbe i ndan çmime Sheshelit.

Sheshel, udhëheqës i Partisë Radikale Serbe, u dënua në vitin 2018 me dhjetë vjet burgim nga Tribunali i Hagës për, siç është thënë, nxitje të persekutimit, dëbimit, zhvendosjes dhe transferimit të detyruar të kroatëve nga fshati Hërtkovci në Vojvodinë, më 1992.

Sheshel u la i lirë në Serbi, pasi kishte qëndruar në paraburgim në Hagë nga viti 2003 deri më 2014.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG