Rajone të mëdha në lindje të Ukrainës kanë mbetur pa rrymë më 11 shtator, derisa Kievi ka akuzuar Moskën se po ia sulmon infrastrukturën e energjisë.
Probleme me rrymë dhe ujë janë raportuar në Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhja dhe rajonet e Dnjipropetrovskut, duke çrregulluar jetët e miliona njerëzve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke ia sulmuar infrastrukturën për “t’i lënë njerëzit pa drita dhe ngrohje”.
Këto probleme vijnë në kohën e kundërsulmit të forcave ukrainase në rajonin e Harkivit, të cilat kanë marrë kontrollin e dhjetëra qytezave dhe fshatrave.
Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, ka pretenduar se Rusia e ka sulmuar termocentralin e qytetit.
Harkivi është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.
Dmytro Reznichenko, udhëheqës i Dnjipropetrovskut, ka akuzuar po ashtu Rusinë për problemet me rrymë.
Udhëheqësi i rajonit lindor Sumi, ka thënë se problemet me rrymë dhe ujë kanë prekur të paktën 135 qyteza dhe fshatra.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.