Ndërlidhjet

SHBA-ja sanksionon Iranin për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë


Policët shqiptarë duke hyrë në Ambasadën iraniane në Tiranë më 8 shtator, pasi diplomatët iranianë u larguan nga ndërtesa.
Policët shqiptarë duke hyrë në Ambasadën iraniane në Tiranë më 8 shtator, pasi diplomatët iranianë u larguan nga ndërtesa.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës së Iranit dhe kreut të këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas një sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë, në muajin korrik.

Sanksionet e vendosura më 9 shtator, u tha se kanë të bëjnë edhe me aktivitete të tjera kibernetike të Republikës Islamike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Ky njoftim vjen pasi Shqipëria, më 7 shtator, bëri të ditur për shkëputjen e raporteve diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit të korrikut, dhe urdhëroi diplomatët iranianë dhe stafin diplomatik që të largoheshin nga shteti brenda 24 orësh.

Departamenti amerikan i Thesarit tha përmes një deklarate se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit drejton disa rrjete të autorëve të kërcënimeve kibernetike, përfshirë edhe ata që janë të angazhuar në spiunazh kibernetik dhe sulme kompjuterike, në mbështetje të Qeverisë iraniane.

“Ne nuk do t'i tolerojmë aktivitetet kibernetike, gjithnjë e më agresive, të Iranit”, tha nënsekretari amerikan i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson.

Ministria iraniane ishte qysh më herët nën sanksione të SHBA-së. Irani nuk reagoi ende ndaj masave të fundit ndëshkuese të SHBA-së.

Ekipi i kërkimit të sigurisë kibernetike i kompanisë Microsoft ka marrë pjesë në hetimin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Kompania tha më 8 shtator se operacioni kibernetik iranian përfshinte kombinim të teknikave të spiunazhit digjital, fshirjes së të dhënave dhe operacioneve të informacioneve online.

Qëllimi i hakerëve, sipas Microsoft-it, ishte që t'i turpëronin zyrtarët e Qeverisë shqiptare, por më shumë detaje nuk u dhanë.

Dokumentet e Ambasadës iraniane zhduken në flakë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:11 0:00

Sulmet e korrikut shkaktuan ndërprerje të përkohshme të qasjes në ueb-faqet qeveritare dhe të shërbimeve të tjera publike të Shqipërisë.

Analistët thonë se operacioni kishte për qëllim të ndëshkonte Shqipërinë për mbështetjen e disidentëve iranianë, që strehohen në këtë vend.

Irani ka shpërfillur “normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit, në kohë paqeje, në hapësirën kibernetike”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Që nga viti 2013, me kërkesë të SHBA-së, Shqipëria strehon afër 3.000 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të cilët janë disidentë.

Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi. Pjesëtarët e këtij grupi, këtë vit, janë vizituar nga ish-zyrtarë të administratës amerikane, Mike Pompeo dhe Mike Pence.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka akuzuar Iranin për "agresion shtetëror" ndaj Shqipërisë, por Teherani ka mohuar se qëndron prapa sulmit kibernetik të korrikut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG